Sport

40 milionë funte në sezon, kontrata e re e Max Verstappen dhe Red Bull


Kampioni i botës në Formula 1, Max Verstappen, pritet të nënshkruajë kontratë të re me Red Bull-in, nga e cila do të përfitojë 40 milionë funte në sezon, pagë që aktualisht në Formula 1, e merr vetëm Lewis Hamilton

Sipas asaj që raporton gazeta holandeze “De Telegraaf”, Verstappen dhe Red Bull do të nënshkruajnë kontratën e re në fund të kësaj jave, nga e cila palët do të jenë të lidhura edhe për katër vitet e ardhshme.

Kontrata e tij aktuale do të skadojë në vitin e ardhshëm, por në kontratën e re, kompania Red Bull do ta bëjë 24 vjeçarin njërin ndër pilotët më të paguar në historinë e Formula 1.

Kontrata e re e Verstappen do të parandalojë që Mercedes-in ta synojë atë si zëvendësues të Leëis Hamilton nëse britaniku do të tërhiqet në fund të marrëveshjes së tij aktuale në vitin 2023.

Drejtori i Red Bull Motorsport, Helmut Marko, ka konfirmuar që muajin e kaluar se skuadra ishte në bisedime me Verstappen-in për një akord të ri.

Në fund të vitit të kaluar, pasi fitoi titullin në finalen kontroverse të sezonit në Abu Dhabi, Verstappen kishte deklaruar se dëshironte që të qëndronte te Red Bull për vitet në vazhdim.

“Jam shumë i lumtur këtu ku jam, kjo është e sigurt, jam i kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Nuk ka asnjë motiv për tu larguar dhe dua të vazhdoj të garoj këtu për shumë kohë”, ka thënë Verstappen.

Ndërkohë edhe Bosi i Red Bull, Christian Horner kishte deklaruar për holandezin se kanë një raport të shkëlqyer më të dhe do të vazhdojë të mbes në skuadër akoma

“Kemi një akord afatgjatë me Max. Bëhet fjalë për një raport të shkëlqyer dhe ai është një pjesë shumë e çmuar e skuadrës. E kemi parë të rritet dhe vlerësimi është reciprok mes nesh. Ai ka besim të jashtëzakonshëm te personat që e rrethojnë dhe ne kemi besim te ai”, ka thënë Horner.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore