Lajme

4% do të jetë rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2022 sipas Bankës Evropiane


Ilustrim

Rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2022 pritet të jetë 4 për qind.

Kështu të paktën pretendon Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) duke u thirrur në projeksionet e tyre.

“Produkti i Brendshëm Bruto i Kosovës pritet të rritet me 4 për qind në vitin 2022, duke mos e ndryshuar kështu parashikimin e muajit maj të këtij viti”.

Rritja ekonomike e Kosovës, sipas Bankës Evropiane, do të ngadalësohet në vitin 2023.

“3.7 për qind parashihet të jetë rritja ekonomike e Kosovës në vitin 2023” shkruhet në raportin e edicionit të shtatorit të BERZH-it për Perspektivat Ekonomike Rajonale.

Furnizimi me gaz nga Rusia dhe rritja e inflacionit në nivel global pritet ta ngadalësojnë më tej rritjen ekonomike në vitin 2023 në rajonet ku operon Banka Evropiane.

“BERZH parashikon rritje ekonomike prej 3.2 për qind në 2022 dhe 3 për qind në 2023 për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, parashikimet janë subjekt i një rreziku të madh në rënie nëse lufta e Rusisë ndaj Ukrainës përshkallëzohet ose vëllimi i eksporteve të saj të gazit bie edhe më shumë”, tregon më tej Banka Evropiane.

Ndonëse Qeveria e Kosovës në çdo konferencë e intervistë amplifikonte faktin e një rritjeje ekonomike dyshifrore në vend si dhe parashikonte se gjatë këtij viti rritja ekonomike do të jetë 7.8 për qind, projeksionet e dala nga Fondi Monetar Ndërkombëtare me të dhënat e përditësuara për muajin prill 2022, e thonë të kundërtën.

Projeksioni i FMN-së, në muajin prill të këtij viti parashikonte një rritje ekonomike prej 2.8 për qind.

E lidhur me këtë njohësit e fushës së ekonomisë, patën thënë Albanian Post’it, se një projeksion i tillë ka qenë i prishtëm pasi që rritja ekonomike e Kosovës është i bazuar vetëm në dy indikatorë ekonomikë – rritja e konsumit dhe e importit, e të cilat rrjedhimisht nuk kontribuojnë në një ngritje të qëndrueshme.

Ekonomia e Kosovës u rrit me 10.5 për qind në vitin 2021, pasi viti 2020 ishte vit i izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore