Futboll

4 derbit më pak të njohur në botë


Rivalitetet intensive ndoshta janë elementi pasiv më kryesor që kontribuojnë në zhvillimin e popullaritetit të një sporti; në këtë rast flasim për futbollin, ose siç e quajti Pele “sporti më i bukur në botë”.

Ka qindra libra, revista dhe artikuj dedikuar ekipeve më rivale në botë, si për shembull: Manchester United – Liverpool, Rangers – Celtic, Sevilla – Real Betis, Real Madrid – Barcelona, Milan – Inter, etj.

Për ta zbërthyer më tej fenomenin e tifozllëkut pasionant – brenda e jashtë fushës së blertë, i cili përkthehet në rivalitet – nëse një tifoz e dashuron ekipin për të cilin bën tifo, një tjetër mund të ketë të njëjtin pasion apo intensitet për një tjetër ekip. Ndërkaq, një prej instinkteve bazë të njeriut (konkurrenca), shkrirë me egon, prodhon një përplasje natyrash me tendencë lartësimin e njërës palë dhe zbehjen e asaj të kundërtës.

Sidoqoftë, ky është një diskurs që prek të tjera sfera, por e thënë thjesht, secili dëshiron që ekipi i tij të jetë i pakundërshtueshëm, gjithashtu dhe më i suksesshmi.

Më poshtë listohen 4 prej rivaliteteve më pak të njohura në futboll:

4. Ipswich Town – Norwich City

Beteja e vazhdueshme për përcaktimin e “Krenarisë së Anglisë”, është një ndër rivalitetet më të vjetra të futbollit, madje kohë përpara modernizimit të futbollit. Më së shumti, derbit përmbajnë rivalitetin e dy ekipeve nga i njëjti qytet, por jo gjithmonë. Në këtë rast, Ipsëich dhe Norëich bëjnë pjesë në Anglinë Lindore. Ipswich nga Suffolk dhe Norwich nga Norfolk – qarqe fqinje të njëra-tjetrës. Në fakt, pikërisht kjo fqinjësi e ka furnizuar me karburant e ka ndezur zjarrin e rivalitetit të tyre legjendar.

Në vitet 1980, Ipswich konsiderohej si një ndër ekipet më të mira në Evropë. Krahas disa titujve brenda Anglisë, Ipswich ka fituar Ligën Evropiane në vitet ‘80/’81. Por, edhe pse Ipswich ka marrë “të mirat” e këtij sporti për një kohë të gjatë, Norwich ka më shumë fitore në bilanc të drejtpërdrejtë me ta:

në 115 takime, prej të cilave 58 janë luajtur në Ipswich dhe 57 në Norwich, 47 fitore numëro Norwich dhe Ipswich 45; 23 të tjera janë barazime.

3. Lillestrom – Valerenga

Derbi midis Lillestrom-it të Oslo-s dhe Valerenda-s së Akershus-it, shpeshherë etiketohet si “El Clasico i Norvegjisë”. Është ndër të vetmit rivalitete i përqendruar në një rreth të përafërt, për të mos thënë fare përbrenda; Pra, Valerenga është i vetmi klub jo-vendas i Oslo-s (Lillestrom është i Oslo-s), i cili luan po aty. Fakt që shpik sherre masive midis tifozërisë apo huliganëve të të dyja ekipeve. Edhe pse kur thua Norvegji, nuk ndodh të të vijë ndër mend futbolli i tyre, Lillestrom dhe Valerenga ndajnë rivalitet mjaft të fortë.

2. Hansa Rostock – St Pauli

Rivaliteti midis këtyre dy klubeve gjermane ka pak të bëjë me pozicionin gjeografik, por ka gjithçka të bëjë me politikën. Hansa, e kategorisë së tretë të kampionatit gjerman, rrjedh nga qyteti Rostock, i cili gjeografikisht dhe politikisht është pjesë e Gjermanisë Lindore, ndërsa e kundërta vlen për St Pauli-n e Hamburug-ut të kategorisë së dytë – po, po, Gjermania Perëndimore.

Ndërkohë që St Pauli përfshihet në progresin politik perëndimor të Hamburgu-t dhe njëkohësisht gëzon privilegje të shumta në sajë të pozicionit gjeopolitik. Kjo nuancë politike, e këndshme apo jo, por me siguri aspak sportive, ka ndezur një rivalitet të zjarrtë midis dy këndvështrimeve të ndryshme. E njohur në Gjermani, më pak në Evropë dhe me siguri aspak në botë.

1. Portland Timbers – Seattle Sounders

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër më të rinjtë kur vjen puna te futbolli dhe jo, nuk po flasim për futbollin amerikan. Gjëja më e përafërt e kampionatit amerikan me huliganizmin evropian, ndoshta është “Derbi Cascadian”. Edhe pse flasin të njëjtën gjuhë, Portland dhe Seattle kanë histori krejt të kundërta. Ndërkohë që pjesa më e madhe e shteteve të Amerikës ishin në një përpjekje të vazhdueshme të ndrisnin diçka nga kriza ekonomike, në 1897, në Seattle zbulohen miniera ari, të cilat shpërthyen ekonominë dhe mirëqenien e qytetit. Gjatë kësaj, Portland kish ngecur totalisht ekonomikisht dhe vuajti pasojat e depresionit të madh, në vitet 1929-1939 edhe më mbas. Kjo diferencë trashëgimie përplaset edhe në tifozëritë e ekipeve të kohës së sotme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore