Kosova

Bislimi sërish arsyetohet rreth skandalit diplomatik: Në sytë e Berger nuk ka kurrfarë keqkuptimi


Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, sërish është deklaruar lidhur me skandalin diplomatik me zëvendës-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge në Komisionin për Integrim Evropian.

Sipas tij, në këtë aspekt nuk ka pasur kurrfarë keqkuptimi dhe biseda mes të dyve ka qenë shumë e frytshme.

“Në sytë e Berger nuk ka kurrfarë keqkuptimi, Berger është zëvendëskryetar i Këshillit të Evropës dhe ka kompetencat e veta, si dhe ju siguroj në tërësi se biseda ka qenë shumë e frytshme. Kjo vetëm është parë në sytë e disave në Kosovë. Unë kam një bindje që kur puna e tweet-it që ka mu përdor si ushqim, që qeveria nuk po din me i përdor tweet-at”.

“Duhet me kalu pak te substanca. Për aq kohë sa mbeteni te presjet, unë këtë e marr si kompliment, se ju nuk po mund të gjeni ndonjë gabim në punën tonë. Unë dëshiroj që të vazhdoni me këto kritika”, deklaroi Bislimi.

Ndërkaq, ka përmendur edhe mundësin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, për të cilat Bislimi ka thënë se ka pasur propozime për formulime të ndryshe, por se “Serbia nuk e ka bërë një kërkesë të tillë”.

“Sa i përket zgjedhjeve të Serbisë të datës 3  prill, ka pasur një vendim dhe ka ende një vendim të Qeverisë së Serbisë që këto zgjedhje të organizohen edhe në Kosovë, dhe ka pasur kërkesa nga vendet e QUIN-it dhe OSBE që të shihen modalitetet brenda të cilave mbajtja e këtyre zgjedhjeve të mundësohet”.

“Qeveria e Kosovës ka qenë e gatshme dhe mbetet e gatshme që të asistojë Qeverinë e Serbisë në rast se ajo dëshiron që qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë të marrin pjesë dhe të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi, gjithnjë në harmoni përmes praktikave më të mira  të vendeve të OSBE-së ose të BE-së, praktika këto që i kemi të përjetuar në rastin e zgjedhjeve që Bullgaria i ka mbajtur në disa vende të BE-së apo Rumania”, u shpreh Bislimi.

Ai shtoi se në të kaluarën, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë kushtetuese.

“Ne mendojmë që në të kaluarën dhe për këtë ka pajtim dhe konsensus të përgjithshëm edhe brenda vendeve të QUINT-it që  zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë kushtetuese deri më tani. Përpjekja e shteteve të QUINT-it ka qenë që të gjendet një modalitet i cili tejkalon atë shkelje kushtetuese që ka ndodhur përpara”.

Besnik Bislimi gjate intervistes per KoSSev

Çfarë kishte ndodhur pas takimit Bislimi – Berge?

Pas takimit me Bjorn Berge, Bislimi, kishte shkruar në rrjetin social se “gjatë qëndrimit në Strasbourg, Berger mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës”.

Kështu do të mbetej sikur Berge të mos ri-shpërndante twitt-in e Bislimit, me një përshkrim mbi të.

“Fatkeqësisht ky nuk është përshkrim korrekt i asaj çfarë kam deklaruar në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për në Këshill të Evropës”.

Përgënjeshtrimi i Bergen u bë viral, jo vetëm për keqinformimin që kishte ndodhur, por edhe për faktin se nga kush vinte.

Bislimi, pos shtetar, është edhe profesor. Ai mbahet si njëri shumë i zoti në profesionin e tij dhe nuk kanë qenë të rralla komentet përçmuese të tij në Parlamentin e Kosovës në raport me opozitarët.

“Ju nuk dini” dhe “ju nuk kuptoni” janë fraza që Bislimi i përdorë kur ballafaqohet me kundërshtarët politik.

Është ikonik edhe një rast i tij në një studio televizive kur e kishte vënë në test një gazetar.

Gazetari, në siklet, i kishte kërkuar ta përsërite pyetjen Bislimit, duke u ndjerë në tension se mos jep përgjigje të gabuar.

Përtej kësaj “persona” që Bislimi e ka krijuar publikisht, ka edhe shumë legjenda urbane rreth mënyrës se si sillet ai në privat.

Thonë se Bislimi krekoset se ka IQ’në – nivelin e inteligjencës – më të madhen në Kosovë dhe si parakusht për t’u angazhuar mirëfilli në debat me dikë, ai i kërkon fillimisht t’ia japin shifrën e arritur në testin e IQ-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore