32 vite nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri

Sadiola Xhelili
08.12.2022 7:51
Loading Icons...

32 vite nga ngjarjet e dhjetorit 1990.

Asokohe u shënjuan lëvizjet e para pro-demokracisë që i dhanë goditjen e fortë regjimit të atëhershëm komunist.

Ishin rreth 300 studentë që natën e 8 dhjetorit 1990 nisën të ashtuquajturën Lëvizja Studentore. Ata marshuan nga “Qytet Studenti” drejt qendrës së Tiranës.

Pas tyre shumë të tjerë u bashkuan.

Të gjendur mes territ, nga të gjitha anët ishin të rrethuar nga policë me skafandra dhe agjentë të shumtë të Sigurimit të Shtetit.

Edhe pse përdorën çdo mjet për t’i thyer, studentët nuk u ndalën. Thirrja e tyre “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” triumfoi.

Studentët, ditën pasuese, konfirmuan një kërkesë drejtuar Ramiz Alisë – e ndarë në disa pika – ku kërkonin pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.

Deri më 11 dhjetor, protestat vijuan.

Atë mbrëmje, në takimin me Ramiz Alinë  u konfirmua pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga takimi.

Kështu nisën edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.

Lëvizja vijoi edhe në ditët e para të vitit pasues, ’91, me kulmimin e atyre ditëve të grevës së urisë me në krye mesditën e 20 shkurtit.

Studentët, të mbështetur nga pedagogët dhe qytetarët e Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, ku rrëzuan diktaturën komuniste.

Një rrëzim që solli lirinë e munguar për gjysmë shekulli.

Prej vitit 2009, data 8 dhjetor përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit ‘90 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Sakaq, Dita Kombëtare e Rinisë, u caktua si e tillë nga Kuvendi i Shqipërisë më 8 dhjetor të vitit 2009.

Të fundit

Aktuale