Shqipëria

30 vite nga triumfi i “Qëndresës” antikomuniste


Demokracia shqiptare, më 20 shkurt, përkujton historikun e shembjes së diktaturës komuniste, duke u përqendruar në ato ngjarje që ndodhën në kryeqytet.

Në këtë ditë, populli i Tiranës rrëzoi nga piedestali në qendër të sheshit Skënderbej, monumentin e Enver Hoxhës, i cili u tërhoq zvarrë.

Në fakt rrëzimi i simboleve komuniste kishte përfshirë gjithë Shqipërinë dhe më shumë se 700 studentë ndodheshin në greve urie, duke kërkuar ndër të tjera edhe heqjen e emrit të diktatorit Hoxha nga universiteti i Tiranës. Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të Tiranës për t’ju bashkuar studentëve.

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte parrulla e demonstruesve të 30 viteve më parë, në Tiranë.

Në kujtesë të ngjarjes simbol të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve, “Shtëpia me Gjethe”, në kuadër të nismës “Muaji i Kujtesës”, ka zhvilluar ekspozitën “Qëndresa”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 shkurt. Ky emër rrjedh si simbolikë e ngadhënjimit të komunizmit siç u shpreh dhe drejtoresha e muzeut,  Etleva Demollari.

Ekspozita mban imazhin e Musine Kokalarit, si “Martire e demokracisë” pasi ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur në vitin 1960. Në të, ekspozohen fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, pushkatuarve dhe internuarve, me të dhëna tronditëse për ata që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit.

Një ndër protagonistët e ngjarjes së 20 shkurtit, Fatmir Merkoçi, rrëfeu për Albanian Post përjetimin e tij që nga pikënisja, rrjedhën e revoltës pa skenar sipas tij, deri tek ndodhia personale dhe ndjesitë e atij çasti të madh.

Data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë, do të mbetet ndër datat më domëthënëse të historisë së mundimshme, pasi u përurua periudha e lirisë nga ideologjia dhe nga regjimi komunist që cënoi popullin dhe vendin ne mënyrë brutale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore