Jetesë & Stil

30 fakte rreth Nexhmije Hoxhës


Nexhmije Hoxha, e veja e ish- liderit komunist, Enver Hoxha, është ndarë nga jeta një vit më parë. Ajo ishte ndër figurat më eminente të kohës së komunizmit në Shqipëri.

Dokumentarë e gazeta të ndryshme kanë folur e shkruar rreth veprimtarisë së saj duke e etiketuar edhe me emrin “Marimënga e zezë e Shqipërisë”.

Joel Soler, autori francez i “Despot Housewives”, dokumentar i cili përfshin gratë e komunistëve në kohën moderne, pas një interviste të gjatë me Nexhmije Hoxhën, është shprehur –  “Nexhmije Hoxha është një zonjë e rëndë me një frëngjishte të shkëlqyeshme”.

Albanian Post rradhit 30 fakte që ju duhet t’i dini rreth këtij personazhi që kishte ndikim të jashtëzakonshëm në periudhën komuniste të Shqipërisë.

1. Nexhmije Hoxha erdhi në jetë me 8 shkurt të vitit 1921.

2. Ajo u lind në qytetin e Manastirit të Maqedonisë së Veriut.

3. Mbiemri i saj i vajzërise ishte – Xhuglini.

4. Naxhije dhe Tefik – ishin emrat e prindërve të saj.

5. Familja e saj kishte origjinë nga Dibra.

6. Më 1928, Nexhmije Hoxha bashkë me familje shpërngulën në Tiranë.

7. Ndoqi me gjysmë burse dhe përfundoi Institutin Femëror Pedagogjik “Nana Mbretneshë”, në Tiranë.

8. Më 10 nëntor të vitit 1941 figuron e regjistruar në Federatën Fashiste të Tiranës.

9. Me dekretin ministror të datës 20 dhjetor të vitit 1941, Nexhmije Hoxha – Xhuglini u emërua mësuese filloreje në Tiranë.

10. Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.

11. Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941.

12. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit.

13. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore.

14. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.

15. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë.

16. Ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat e tij.

17. Ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Propagandës, Arsimit dhe Kulturës në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë.

18. Me Enver Hoxhën u martua me 1 janar të vitit 1945.

19. Diferenca e moshës mes tyre ishte 13 vite.

20. Nexhmije Hoxha në martesën me Enverin, lindi tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.

21. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtoreshës së Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH-së.

22. Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike.

23. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë.

24. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.

25. Ka botuar disa libra – Jeta ime me Enverin (1998), Lufta jonë çlirimtare (2011), Kosova e lirë (2015) dhe Përjetime dhe meditime në jetën time politike – 2020.

26. Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit.

27. Nga 11 vite dënim me burg, ajo mbajti vetëm 5 nga to.

28. Në vitin 1998, Nexhmije Hoxha shkoi në Maqedonine e Veriut për herë të parë pas 70 vitesh.

29. Nexhmije Hoxha ishte ateiste.

30. Vitet e fundit të jetës i kaloi duke jetuar e vetme në shtëpinë e saj në zonën e Laprakës, në Tiranë. Ku edhe vdiq në moshën 99 vjeçare, më 26 shkurt të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore