Gjykata Speciale

3 vjet Gjykim Special për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin


Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

“Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim!”.

Ky kishte qenë mesazhi i Hashim Thaçit, më 5 nëntor të vitit 2020, drejtuar qytetarëve të Kosovës, kur njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës, pasi që i ishte konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Këtë të diele, bëhen saktësisht tri vjet që kur ish-presidenti Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u arrestuan nga Gjykata Speciale.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Jakupi po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduar lufte, të cilat supozohen se janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Në fjalimin e tij kur kishte dhënë dorëheqje, Thaçi ndër të tjera kishte thënë se aktakuza ndaj tij dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “është çmim i vogël, i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.

Në fund të adresimit të tij, ai thoshte se me bindje beson që nga ky proces i përballjes me drejtësinë “do të dalim faqebardhë”.

Nga ana tjetër, derisa kanë hyrë në vitin e tretë të burgosjes, vazhdimisht, nga njohës të fushës, ka pasur kritika ndaj kësaj gjykate për mënyrën se si është zhvilluar deri më tani procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndonëse ishin arrestuar në nëntor të vitit 2020, gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të fillonte vetëm më 3 prill të këtij vitit, pra më shumë se dy vite nga konfirmimi i aktakuzës.

Ndërsa, kategorizimi që i është bërë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” ka bërë që të ketë dyshime se Gjykata Speciale nuk është duke i gjykuar Thaçin dhe tjerët, por është duke e gjykuar komplet luftën çlirimtare.

Deri më tani në gjyqin ndaj Thaçit e të tjerëve kanë dëshmuar 32 dëshmitarë, derisa pjesa më e madhe e tyre ka dëshmuar në seanca të mbyllura për publikun.

Përderisa në Hagë vazhdon procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë, Gjykata Speciale, po vazhdon bastisjet e arrestimet e tjera.

Madje, këtë javë kanë qenë shumë aktivë. U janë bastisur shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit, Blerim Shalës, Artan Behramit e Ismail Sylës, derisa ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, të premten është arrestuar.

Por, për çka konkretisht po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore