Shqipëria

24 orët e Zelenskyt në Tiranë – Samiti për Ukrainën bashkon Evropën juglindore në zemër të Shqipërisë


Shqipëria çel dyert për Samitin “Ukrainë – Evropa Juglindore”.

Dhe si bashkëorganizator është edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili sot – për herë të parë – viziton Tiranën për të marrë pjesë në punimet e Samitit.

Vendi ynë, si mikpritës ka bërë gati terrenin për vizitën që mban “mbi supe” peshën e tensioneve aktuale gjeopolitike.

Zelensky do të qëndrojë disa orë në kryeqytetin shqiptar, epiqendrën e diskutimeve për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Do të takojë – siç është bërë publike – kryeministrin shqiptar, me të cilin përpos takimit tête-a-tête, do të kenë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Jo vetëm kaq, do të firmoset edhe një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Vetë Rama, e ka cekur se samiti do jetë në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar në lidhje me sfidat e sigurisë.

Me zhvillimin e kësaj pritje, vendi ynë konfirmon pozitën si mbështetëse dhe aleate sovraniteti.

Vëmendja e Tiranës nuk është vetëm për shkak të pranisë së Presidentit Zelensky, por se qyteti po pret një Samit për Ukrainën, që sheh 13 vende të Evropës Juglindore të bashkohen, së bashku me zyrtarë të nivelit të lartë nga Brukseli dhe Ballkani Perëndimor.

Ndërkohë, përmasat e kësaj ngjarjeje nuk mund të mbivlerësohen, pasi për operacionin janë mobilizuar mbi 1 mijë e 600 forca policie, përfshirë të gjithë repartin RENEA dhe FSK, të gjitha në gatishmëri të lartë.

Vizita e presidentit ukrainas mund të shihet si simbol mirënjohje dhe partneriteti.

Nga diskutimet e nivelit të lartë pas dyerve të mbyllura, deri te mesazhi i unitetit për botën, Shqipëria është bërë qyteti i sfondit të dialogut diplomatik.

Dhe përtej kësaj, sot, sytë janë nga Tirana, në vizitën që do jetë si testament i rolit të vendit në skenën botërore.

Cila është agjenda e Samitit?

Sipas agjendës zyrtare nga burime të Albanian Post, Zelensky do të mbërrijë në orën 09:00 në Kryeministri ku do të zhvillojë një takim tête-a-tête me kryeministrin Edi Rama.

Më pas në orën 10:10 pritet firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Pas këtij takimi, kreu i qeverisë shqiptare në orën 11:00 do të presë liderët nga Ballkani Perëndimor në Pallatin e Kongreseve.

Përfaqësues nga Bashkimi Evropian do të jetë Oliver Varhelyi.

Më pas në orën 11:30 kreu i qeverisë shqiptare dhe Zelensky do mbanë fjalën hapëse, për të përmbyllur me konferencën për shtyp në orën 13:30.

Presidenti i Ukrainës, pas mbajtjes së konferencës do të largohet nga Shqipëria, ndërsa liderët e Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë për takimin e së enjtes, i cili ka në fokus integrimin e rajonit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore