Shqipëria

23 Gushti – Ngjarje dhe përjetime


“Gjatë Luftës së Dytë Botërore kemi qenë në krahun nacionalist. Pas pushtimit të Shqipërisë nga komunistët, familja jonë do të ishte në shënjestër”.

Kështu e nis rrëfimin për Albanian Post, Bedri Blloshmi, anëtar i një prej familjeve, të cilat kanë përjetuar “shuplakën” e diktaturës.

“Më pas”, kujton ai, “do të fillonin sekuestrimet totale të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, arrestimet, burgosjet; pushkatimet si akti më kriminal i komunistëve, për të përfunduar tek internimet deri në vitin 1991”.

Në vitin 2008, Parlamenti Evropian miratoi një Deklaratë mbi shpalljen e 23 gushtit si Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Në këtë datë, edhe Shqipëria përkujton të ndëshkuarit, gjatë sistemit diktatorial.

Ata vuajtën nga torturat më të rënda, si shkaktimi i urisë deri në vdekje, rrahje me dru dhe kamxhik për shkaktimin e plagëve, përdorimin e rrymës elektrike në trup, djegie me cigare, hedhje nga lartësia, si dhe tortura të tjera.

Ndër të tjera, Blloshmi përshkruan “gjendjen” e asokohe.

“Situatë shumë e tmerrshme nën peshën e luftës së klasave. Gjurmët e atyre krimeve kanë mbetur të pashlyeshme edhe sot e kësaj dite, sepse ato janë të ngulitura thellë në ndërgjegjen tonë. Plagët e atëhershme nuk mund të shërohen kurrë”, tregon ai.

Në retrospektivë, “të gjithë shkaktarët e asaj katrahure”, sipas tij, sot janë në sektorët më të rëndësishëm të vendit.

“Ata që qeverisin sot janë bijtë e atyre që kryen krime për 50 vjet në Shqipëri. Dikush që do vërtet t’i zbardhë krimet e komunistëve, duhet të nisë një proces si ai i Nurenberg-ut!”.

Gjatë viteve, institucionet publike dhe të afërmit e të zhdukurve kanë gjetur rreth 100 kufoma njerëzish, në disa raste të paidentifikueshme.

Një nga zbulimet e para të eshtrave të të pushkatuarve ishte në vitin 1993, pranë Urës së Beshirit në Tiranë, ku u gjetën 22 të pushkatuarit për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike.

Sipas publikimit nga muzeu “Bunk’art”, në periudhën 1944-1991, mbi 6 mijë persona u ekzekutuan në Shqipëri me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri bën me dije se 5 mijë e 577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë.

Në vitin 2010 u zbulua edhe një varrezë masive afër Malit të Dajtit. Si rezultat i zhvarrimeve nga Instituti Shqiptar i Mjekësisë Ligjore, 13 trupa u gjetën, si dhe eshtra, të cilat ende nuk janë identifikuar.

Sipas informacioneve nga dëshmitarë dhe dokumente, në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende (hot-spot), ku dyshohet se ndodhen trupa të tjerë të të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist.

Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) dhe autoritetet shqiptare janë angazhuar publikisht për të nisur një fushatë identifikimi dhe kërkimi të të zhdukurve, duke ndërmarrë hetime serioze, në mënyrë që të paraqesin të dhëna të besueshme mbi ekzistencën e këtyre vendeve.

Miratimi i Ligjit për hapjen e dosjeve të regjimit komunist mund të shërbejë si një mjet i dobishëm për të ecur përpara me këtë proces.

Kodi Penal i regjimit të Enver Hoxhës numëronte 34 krime të dënueshme me dënim me vdekje, mes të cilave 12 ishin krime politike, si “arratisje nga shteti” (Art. 47), sabotim i “ekonomisë socialiste dhe i organizimit e administrimit të Shtetit” (Art. 53) apo “agjitacion dhe propagandë fashiste, antidemokratike, klerikë, luftënxitëse dhe antisocialist” (Art. 55).

Në vitin 1952, në kohën e manisë së “spiunazhit anglo-amerikan” u prezantua dënimi me vdekje për të gjithë “komplotistët kundër shtetit”.

Disa krime politike, si Art. 55, ishin pjesë e Kushtetutës. Në maj të vitit 1990 u krye një liberalizim i parë i Kodit Penal, duke reduktuar në 11 krimet, për të cilat parashikohej dënimi me vdekje.

Lista e personave të dënuar me vdekje për motive politike, gjatë regjimit komunist, përfshihen në veçanti intelektualë, politikanë, tregtarë, pronarë tokash dhe klerikë.

Dënimi me vdekje vazhdoi të zbatohej në Shqipëri edhe pas rënies së regjimit komunist, por vetëm për krime të zakonshme.

Dënimi i fundit me vdekje ndaj kriminelëve të zakonshëm është dhënë në Tiranë, më 15 mars 1995. Pas disa muajsh u prezantua një moratorium, i cili çoi në shfuqizimin definitiv të dënimit me vdekje, në vitin 1999.

Përkujtimi në Shqipëri

Në vitin 2017, një aktivitet i përbashkët, me rastin e përkujtimit të Ditës Evropiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit u organizua nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, në një prononcim mediatik u shpreh asokohe se do t’i propozonte Parlamentit që 23 gushti të shpallet edhe në Shqipëri si dita e kujtimit të viktimave të regjimeve totalitare.

“Si Autoritet kemi rënë dakord t’i propozojmë parlamentit shqiptar që këtë ditë ta vëmë si ditë kombëtare të përkujtimit të viktimave qoftë të fashizmit, qoftë të komunizmit pa dallim ngjyre, sepse diktaturat, sistemet totalitare janë njësoj me pasoja, janë çnjerëzore që synojnë shtypje me bazë racore nga një vend tek tjetri ose me bazë klasore siç ndodhi në Shqipëri”.

Një vit më vonë, u mundësua një ekspozitë me materiale arkivore të AIDSSH “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”, për të vijuar me simpozium shkencor mbi kuadrin historik dhe juridik të punës së detyruar.

Kampi i Internimit

Më 4 nëntor 2019, Instituti i Përkujtimit Kombëtar mundësoi hapjen e ekspozitës udhëtuese ndërkombëtare të Platformës “Totalitarizmi në Evropë” edhe në Shkodër.

Aty përshkruhej numri i viktimave civile të sistemeve totalitare në Evropë.

Pse 23 gushti?

23 gushti përkon dhe me datën e nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribbentrop, një pakt pa agresion i vitit 1939 midis BRSS dhe Gjermanisë naziste që përmbante një protokoll që ndau Rumaninë, Poloninë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë dhe Finlandën në Sferat gjermane dhe sovjetike të influencës.

Sipas deklaratës, deportimet masive, vrasjet dhe skllavërimet e kryera në kontekstin e akteve të agresionit nga stalinizmi dhe nazizmi bien në kategorinë e krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit

Me anë të kësaj, u kërkua si domosdoshmëri ruajtja e kujtimit të viktimave të deportimeve masive e të shfarosjeve.

Në të njëjtën kohë, duke rrënjosur më mirë demokracinë e duke forcuar paqen dhe stabilitetin në kontinentin tonë për të parandaluar përsëritjen e krimeve të nazizmit dhe stalinizmit.

Gjatë Presidencës hungareze të BE të vitit 2011, një nismë hungareze – lituaneze – polake rezultoi në marrjen e ministrive të drejtësisë nga BE, duke pranuar një dokument që lidhet me kujtimin e regjimeve totalitare.

Dita e përkujtimit filloi në protestat e mbajtura në qytetet perëndimore kundër krimeve sovjetike dhe okupimit në vitet 1980, të iniciuara nga refugjatët kanadezë nga vendet e pushtuara nga Bashkimi Sovjetik.

Ato kulmuan në Rrugën Balltike, një demonstrim i madh gjatë revolucioneve të vitit 1989, që kontribuuan në çlirimin e shteteve Balltike.

Qëllimi i Ditës së Kujtimit është të ruajë kujtimin e viktimave të deportimeve masive dhe shfarosjeve, duke promovuar vlerat demokratike, për të përforcuar paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore