Shqipëria

13 vite nga 21 janari


Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.

Emra krejtësisht të panjohur në rrethin e gjerë të shoqërisë shqiptare, deri më 21 janar 2011, ditën kur do të jepnin frymën e fundit, në bulevardin kryesor të Tiranës, mu përballë Kryeministrisë.

Një ndër protestat më të mëdha të demokracisë moderne shqiptare, do të kthehej edhe në një ndër më të përgjakshmet e famëkeqet, kur në drejtim të katër qytetarëve, me duar në xhepa, tërësisht të pambrojtur e të hazdisur nga kaosi, do të qëllohej prej tytave shtetërore.

21 janari, dekadën e ka mbushur si ngjarje, por ende dhemb në kujtesën e shqiptarëve.

Mbi të gjitha, i dhemb atyre, familjarëve të viktimave, të cilët përpos humbjes së madhe që duhet të përjetonin, vuajnë dhe plagën e një drejtësie të cunguar.

Çfarë ndodhi më 21 Janar?

Janari i 2011-s e gjeti të polarizuar skenën politike shqiptare. Polarizimi do të kulmonte më datë 11 kur emisioni investigativ “Fiks Fare” transmetoi një videopërgjim të realizuar nga Dritan Prifti. Në të shfaqej Ilir Meta, në atë kohë Ministër i Jashtëm në koalicion me qeverinë e ish-kryeministri Sali Berisha.

Videoja ishte realizuar në ditët e para të marsit 2010 në zyrën e Dritan Priftit, në atë kohë Ministër i Ekonomisë. Sipas Priftit, në videopërgjim Ilir Meta kërkonte favore për një tender ndërtimi hidrocentrali. Gjatë bashkëbisedimit, përmendet shifra 700 mijë Duro.

Asokohe, Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi menjëherë. Videon e quajti montazh dhe pjellë të korrupsionit dhe krimit të Edi Ramës. Një ditë më vonë, pra më 12 janar, Ilir Meta doli vetë në konferencën për shtyp. Refuzoi të dorëhiqet dhe i qëndroi deklaratës fillestare të shpërndarë me urgjencë nga partia që drejtonte.

“Video është një montazh i pështirë, i neveritshëm dhe shantazh për t’u ulur në pazare politike me Edi Ramen”. Meta tha se shifrat e përmendura në atë bisedë ishin dëmi që i ishte shkaktuar një kompanie nga mohimi i licencës për ndërtimin e HEC-it dhe se nuk shihte arsye për të dhënë dorëheqjen.

Po atë ditë, Kryeministri Sali Berisha mbledh kabinetin qeveritar. Traditën e zhvillimit të këtyre mbledhjeve me praninë e mediave nuk e shkeli dhe në fjalën e gjatë që mbajti, foli për projektet në agro-kulturë duke mos komentuar për asnjë moment videon.

Vetë  Dritan Prifti këmbënguli në vërtetësinë e videos. Ai tha se pamjet e transmetuara në “Fiks Fare” ishin një kopje, por ka edhe origjinalin që u zotua t’ia vinte në dispozicion Prokurorisë dhe institucioneve ndërkombëtare. Prokuroria nisi hetimet dhe hapi i parë ishte sekuestrimi i kasetës dhe regjistrimi i procedimit penal me akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Ilir Meta dhe Dritan Prifti

Edi Rama, që në atë kohë mbante postin e kryebashkiakut të Tiranës e cilësoi videon “provë të llumit të korrupsionit të Saliut dhe Ilirit”. Ai kërkoi dorëheqjen e gjithë qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja dhe ftoi shqiptarët në një protestë të thirrur më 21 janar.

“Më 21 janar të bashkohet çdo qytetar që ndjehet i tallur dhe i nëpërkëmbur. Kjo nuk është demonstrata e PS ndaj qeverisë. Është momenti që të bashkohen qytetarët që kanë të njëjtat ëndrra e shpresa. Më 21 janar të ngrihemi në këmbë për dinjitet! Ftojmë të gjithë të bashkohen pa flamur d pa asnjë paragjykim”, deklaroi ai.

Dritan Prifti dorëzoi më 13 janar në Prokurori kasetën origjinale, ndërsa Ilir Meta akuzoi po atë ditë Edi Ramën dhe ish-ministrin e tij si “bashkëregjisorë të video-përgjimit”. Qëllimi i vetëm, tha ai, ishte dëmtimi i figurës së tij në prag të zgjedhjeve vendore që zhvilloheshin në muajin maj.

“Sulm i një klani mafioz e kriminal që e kontrollon Rama”, tha asokohe Meta.

Tre ditë pas publikimit të videos, Kryesia e LSI-së propozon ndryshime në kabinetin qeveritar. Ilir Meta jep dorëheqjen nga të dy funksionet që mbante, si nga detyra e zv kryeministrit, ashtu edhe nga detyra e ministrit të Jashtëm. Berisha i pranoi dorëheqjen dhe tha se largimi nuk ishte kërkesë e tij, por vendim i pakthyeshëm i vetë Ilir Metës. Sipas Berishës, Meta ishte viktimë e skenarit të një aleance punisto-mafioze dhe u shpreh i bindur për vazhdimin e koalicionit me LSI.

Prokuroria, e cila ishte në ditët e para të hetimit, kërkoi ndihmë nga Ambasada Amerikane. Kërkesa ishte konkrete në ndihmë me ekspertizë për të përcaktuar autenticitetin e videos. Kuvendi miratoi ndryshimet në Qeveri. Ilir Meta u zëvendësua nga Edmond Haxhinasto në të dyja postet që mbante, ndërsa Nasip Naço zëvendësoi Dritan Priftin si Ministër Ekonomie. Ndryshimet nuk qetësuan as opozitën e asaj kohe dhe as opinionin publik. Edi Rama ripërsëriti thirrjen për t’iu bashkuar protestës më 21 janar para Kryeministrisë.

Organizimi ishte menduar t’u lihej në dorë protestuesve dhe në të nuk do të mbahej asnjë fjalim, as nga vetë kreu i PS-së.

Protesta zhvillohet dhe për orë me radhë protestuesit u përleshën me forcat e policisë dhe Gardës së Republikës. Nga përleshjet, kjo e fundit qëllon me plumba të vërtetë. Tre persona, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda mbetën të vdekur në vend, ndërsa Aleks Nika ndërroi jetë disa ditë më vonë si pasojë e plagëve të marra para Kryeministrisë. PS deklaronte se 21 janari ishte shpërthimi i zemërimit të shqiptarëve për videon Meta-Prifti, akuzonte për krim shtetëror dhe fajësonte drejtpërdrejtë Sali Berishën.

Berisha vetë akuzonte për një puç shteti dhe tha fillimisht se viktimat ishin qëlluar nga një distancë e afërt me pistoleta e çadra ‘stilolaps’.

“Nuk ka bandë e as banditë, nuk ka puç, as puçist, që do të mund t’i marrë institucionet e shtetit”, deklaroi ai në daljen e tij të parë publike pas ngjarjeve.

Më vonë, Kryeministri i asaj kohe do të akuzonte si të përfshirë në këtë puç edhe ish-kryeprokuroren Ina Rama dhe ish-Presidentin Bamir Topi.

“Ju garantoj se ata që flasin për ngjarje bulevardi, nuk janë gjë tjetër, me falni për shprehjen, veçse horra e lavire bulevardi. Tregojnë se janë hienat e prapaskenës së puçit të rrugës për të cilin duhet të merreshin jetët e burrave, fëmijëve e vëllezërve tuaj. Ata të cilët mendojnë se në strofullën ku janë do të mund të vazhdojnë këtë veprimtari, i garantoj se i pret ai fund që meritojnë”, deklaronte Berisha.

Rama nuk u tërhoq nga protestat.

“Pasi të nderojmë të vrarët në një demonstratë për lirinë dhe drejtësinë, e siguroj Saliun se do të na ketë përballë”, u kundërpërgjigj Rama. Një marshim homazh u thirr për më 28 janar. Berisha, nga ana tjetër, thërriti zhvillimin e një tubimi në po të njëjtën ditë.

Zhvillimi i dy protestave alarmoi ndërkombëtarët. BE dhe SHBA u koordinuan në përpjekje për të bindur dy palët që të tërhiqeshin, pasi ngjarjet mund të përshkallëzoheshin në një skenar të ngjashëm me 1997-n.

Berisha u tërhoq dhe për këtë mori përgëzimet si “burrë shteti” nga ambasadori amerikan në atë kohë, Alexander Arvizu. Edi Rama jo. Më 28 janar 2011 u zhvillua marshimi në heshtje nga selia e PS-së para Kryeministrisë, ku u vendosën buqeta me lule. Ndryshe nga protesta e një jave më parë, ky marshim kaloi pa asnjë incident.

Hetimet e prokurorisë dhe vendimi i Gjykatës

Në fillim të shkurtit, Dritan Prifti u thirr për të dhënë dëshminë e radhës në Prokurori. “U dhashë prokurorëve gjithë detajet e mia lidhur me këtë hetim. Kuptova që nuk kishte asnjë dyshim nga prokurorët për vërtetësinë e videos”, deklaronte ai.

Prokuroria dërgon në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Publikisht Ilir Meta i kërkon kryetares së Kuvendit që të autorizojë heqjen e imunitetit. Në mes të këtij muaji, Kuvendi i jep autorizimin e kërkuar organit të akuzës, ndërsa vetë Meta citon ekspertët “se në sekuencat filmike ka pasur montim në zë dhe titrat nuk korrespondojnë me materialin audio”.

Partia Socialiste pretendonte të kundërtën. Zyrtarë të saj deklaronin se ekspertiza amerikane e kishte gjetur videon autentike dhe pa asnjë ndërhyrje. Pas Berishës, edhe Ilir Meta qortonte kryeprokuroren Ina Rama.

“Kryeprokurorja nuk mund të jetë lojtare politike, pasi ajo përfaqëson organin e akuzës dhe ka për detyrë që çdo akuzë ta bëjë mbi prova dhe fakte dhe jo mbi intriga të thurura dhe të bëra në ambiente që nuk kanë lidhje me shtetin. Edhe pse kam rezervat e mia për kryeprokuroren, është detyra e çdo politikani që të bashkëpunojë me prokurorinë”, deklaronte ai.

Në mars, Meta ashpërsoi gjuhën ndaj Kryeprokurores dhe flet më konkretisht. “Të gjithë e dinë se për shkak të Ina Ramës Prokuroria është përfshirë në një fushatë elektorale”, deklaronte ai në një konferencë për mediat.

Fillimi i majit e zuri Pokurorinë me mbylljen e hetimeve dhe dërgimin në Gjykatën e Lartë të dosjes me akuzat e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.

Dosja shkon në Gjykatën e Lartë. Ish zëvendëskryeministri Meta akuzohet për “korrupsion aktiv dhe abuzim me detyrën. Shorti përcakton Kolegjin Penal që do të gjykojë çështjen. Kryesues i trupës u zgjodh Ardian Dvorani dhe anëtarë Besnik Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj. Nga kjo trupë gjyqtarësh, vetëm Ardian Dvorani e kaloi testin e Vettingut. Arjana Fullani, Guxim Zenelaj dhe Besnik Imeraj u dorëhoqën para se të niste ky proces, ndërsa Gani Dizdari nuk kaloi testin në KPK.

Seanca e parë u zhvillua në muajin qershor. Avokatët mbrojtës të Ilir Metës kërkuan pavlefshmërinë e hetimeve të prokurorisë, duke deklaruar se ato ishin realizuar pa marrë më parë autorizimin e Kuvendit dhe jashtë afateve ligjore. Prokuroria këmbëngulte se hetimet janë bërë brenda afateve ligjore, përfshirë ekspertizën e videove dhe se në to nuk ka patur ndërhyrje.

Në korrik të 2011, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi që të marrë dëshminë e Dritan Priftit dhe rrëzoi ekspertizën e bërë nga të huajt për videon si të jashtëligjshme për shkak se ishte kryer jashtë procedurave ligjore.

Gjykata caktoi në muajin shtator një grup ekspertësh shqiptarë për analizimin e autenticitetit të videos. Emrat e përzgjedhur prej saj ngjallën dyshimet e opozitës se procesi gjyqësor po manipulohej dhe në disa media u përfol e shkuara e dyshimtë profesionale e ekspertëve.

Dy muaj më vonë, ky grup ekspertësh doli në përfundimin se videoja nuk ishte origjinale dhe se në të ishte ndërhyrë. Në dhjetor të 2011 zhvillohen seancat e fundit, ku merren në pyetje dëshmitarët dhe u shqyrtuan provat shkresore. Veç Dritan Priftit, dëshmi dhanë edhe biznesmenët e përmendur në video-përgjim, të cilët mohuan se kishin dhënë rryshfet.

Gjykimi kishte përfunduar dhe pritej vetëm vendimi i Kolegjit Penal. Data e caktuar ishte 16 janari i 2012. Në fillim të janarit 2012, Ilir Meta e cilësonte çështje të së shkuarës, ndërsa Dritan Prifti fliste për të tjera video dhe akuzonte Ilir Metën se e mbylli procesin me para.

Në pretencën e saj, Prokuroria kërkonte 2 vjet burg, ndërsa avokatët mbrojtës shpalljen të pafajshëm të klientit të tyre. Meta akuzonte Prokurorinë për standarde të dyfishta dhe pretencën e saj të motivuar kryekëput nga politika. Ditët para vendimit patën shkëmbimin më të fortë të akuzave mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Kreu i LSI-së në atë kohë e cilësoi ish-deputetin e tij si “mi moçalesh”, ndërsa Prifti e quante “tartabiq të fryrë me gjak”.

Fiks një vit nga publikimi i videopërgjimit, Sali Berisha rithekson mbështetjen për aleatin e tij në qeveri. Ai u shpreh i gatshëm ta rikthente në Qeveri, nëse LSI do ta propozonte. Në një pjesë të mediave kjo u interpretua si presion i hapur ndaj Gjykatës së Lartë, që nuk kishte dalë ende me vendim për çështjen në fjalë.

Katër ditë nga dhënia e vendimit, Sali Berisha viziton Ilir Metën në shtëpinë e këtij të fundit. Rama akuzoi Kryeministrin se po bën presion mbi gjyqtarët për të mbyllur dosjen dhe vizitën e interpretoi si “shantazh” ndaj drejtësisë.

Berisha s’e mohoi vizitën, por nuk komentoi asnjë fjalë në lidhje me akuzat se po shantazhonte Gjykatën e Lartë. Një tjetër takim mes tyre u përfol se ka ndodhur më 14 janar 2012, këtë herë në një hotel të Tiranës, ku i pranishëm ka qenë edhe Lulzim Basha, që në maj të 2011 ishte zgjedhur në krye të Bashkisë së kryeqytetit.

Rihapja e dosjes

Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.

Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.

Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.

Nga ana tjetër socialistët, duke filluar nga kryeministri Rama kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur, zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit.

“Koha që drejtësia e re të reagojë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore