Shqipëria

“21 Janari” në Prokurori apo SPAK, Gjykata e Lartë merr vendimin


Gjykata e Lartë këtë të martë të 27 shkurtit do të vendosë përfundimisht mbi çështjen se “kush duhet ta hetojë” dosjen e të ashtuquajturës “21 Janari”.

Kështu pritet vendimi nëse i takon Prokurorisë së Tiranës apo Prokurorisë së Posaçme të kryejë vijimin e hetimeve.

Kjo ka qenë kërkesa e familjarëve të Aleks Nikës, i cili mbeti i vrarë së bashku me tre të tjerë, përkatësisht Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda.

Kjo teksa ato po protestonin dhe u qëlluan nga “plumbat shtetërorë” në janarin e vitit 2011.

Vetë kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, në një letër i ka argumentuar familjarëve arsyet pse dosja i përket për hetime Prokurorisë së Tiranës.

Sipas tij, nëse do të ketë element të tjerë, atëherë hetimet do të kryen nga SPAK-u.

Letra e tij erdhi pasi SPAK-u ka shpallur moskompetencë lidhur me kallëzimet penale të bëra nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste, sa i takon provave të reja lidhur me protestën e 21 janarit 2011, ku katër persona mbetën të vrarë në bulevard, përballë Kryeministrisë.

Apeli i GJKKO-së nuk e pranon ankimimin e familjarëve të viktimave të 21 janarit

Më 23 janar 2023, ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ai i cili dorëzoi në SPAK kallëzimin për ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, së bashku me ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, të cilët akuzohen se janë orkestrues të vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm në bulevard.

Dy ditë më pas, do të ishte Partia Socialiste, ajo e cila do të dorëzonte një kallëzim të ngjashëm, ku të akuzuar ishin sërish të njëjtët.

Kallëzimin e bëri drejtpërdrejt Sekretari i Përgjithshëm i të majtëve, Damian Gjiknuri, i cili theksoi se urdhëruesit e vrasjeve, kanë qenë Berisha dhe Basha.

Përfaqësuesi i lartë i socialistëve theksoi se prova e re publike (transkriptet e një regjistrimi) përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar hetimeve.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.

Rihapja e dosjes

Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.

Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.

Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore