Lajme

2023, Viti i Protestave


Foto: Albanian Post.

Pushtetin e fituan me besimin se do të ofronin ndryshim, përmirësim, plotësim të kushteve, e rritje të pagave për profesionet të cilat konsiderohen si shtyllat kryesore të shtetit.

Mirëpo, për dy vjet e gjysmë qeverisja në krye me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bëri që të gjitha kategoritë e shoqërisë të ngritën në protesta për shkak të mosrealizimeve të premtimeve që u ishin bërë.

Mjekë, mësimdhënëse, policë, gazetarë, punonjës të KEK-ut, sektori privat, kategoria e veteranëve, e minatorë të gjitha këto kërkonin përmirësim të kushteve në punë dhe rritje të pagave.

Në qeverisjen Kurti, për herë të parë protestuan Njësia Speciale e FIT-it, e po ashtu për herë të parë një grevë në arsim zgjati për një periudhë aq të gjatë.

Por, për herë të parë një pushtet detyroi edhe gazetarët të ngritën në protestë për shkak se i ishte pezulluar licenca e biznesit mediumit “Klan Kosova”, një banerë i gjatë në duart e gazetarëve mbahej me mbishkrimin “demokracia vdes në errësirë”.

Në anën tjetër, janë mjekët, punonjësit e sektorit privat, kategoria e veteranëve, minatorët të cilët vazhdimisht për dy vjet e gjysmë kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.

Këto kategori protestat i kanë pasur të vazhdueshme, por që asnjëherë s’dërgonin në rezultate konkrete, por vetëm në diskutime me pushtetin e që sërish fjalët e takimeve mbeten vetëm premtime.

Greva e mjekëve që la pacientët pa shërbime

Protesta e parë që nisi ndaj Qeverisë Kurti ishte nga mantelbardhët të cilët i bënin thirrje kryeministrit, Albin Kurti që t’i ftojë punëtorët shëndetësorë në takim me kërkesën që projektligji për pagat të shkoj sa më parë në Kuvend.

Përveç kësaj nga mjekët ishte mbajtur edhe grevë të cilët refuzonin të merreshin me pacientët deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.

Për këtë grevë shqetësim të madh kishte shprehur Shoqata e të Drejtave e të Pacientëve në Kosovë (PRAK), pasi që gjendja e pacientëve në të cilën ndodheshin nuk ishte stabile.

Protesta e punëtorëve shëndetësorë në 2021.

“Pacientë të dashur iu kërkojnë falje që Qeveria Kurti për tetë orë na bëri që të ndahemi nga ju. Në 43 qendra shëndetësore, në 7 spitale regjionale, qendra të mjekësisë i janë përgjigjur 100% grevës”, kishte deklaruar kryetari i Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla.

Përveç kësaj, stafi shëndetësor protestoi edhe me 2 shtator të 2022, ku kishin shprehur indinjatën e tyre për mosekzekutimin e pagave.

Greva më e madhe në arsim

Edhe pse në arsim greva kishte pasur në kohëra të ndryshme, greva që filloi më 25 gusht të 2022, rezultoi të jetë greva më e madhe që ishte mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), po kërkohej që punonjëseve të arsimit t’u rritet paga.

Greva në këtë sektor po shoqërohej edhe me bojkotimin e punës nga punëtorët e administratës publike, shërbyesve civilë në institucione lokale dhe qendrore e që kërkesën e kishin të ngjashme – rritje të pagave.

Në disa takime Kurti nuk kishte gjetur zgjidhje me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Foto: Albanian Post.

Protesta e veteranëve

Shtetet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) shpesh jepen si emërim në grup. Jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, as për të kaluarën e përbashkët, por edhe për gjendjen pak a shumë të ngjashme politike dhe ekonomike.

Por, një çështje ku dallojnë shumë këto shtetet, është tek trajtimi që u bëjnë ato veteranëve të tyre të luftës.

Protesta e veteranëve.

Derisa Qeveria e Kosovës nuk kishte pranuar që të lidhë pensionin e veteranit me pagën minimale, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojnë të marrin vetëm nga 170 euro në muaj pension, që është 80 euro nën pagën minimale.

Kjo kishte dërguar në protestë disa ditore nga veteranët në muajin qershor të 2022-ës, ku kryeministri i Kosovës, as nuk i priste në takim veteranët për të gjetur një zgjidhje.

“Demokracia vdes në errësirë”

Për herë të parë më 31 korrik, gazetarët e Kosovës protestuan në përkrahje të televizionit Klan Kosova në Prishtinë, pas vendimit të Ministrisë së Industrisë për t’ia pezulluar licencën e biznesit këtij televizioni.

Duke e mbajtur një banerë të gjerë në dorë, me mbishkrimin “demokracia vdes në errësirë”, dhe duke fishkëllyer vazhdimisht, gazetarët marshuan nga sheshi Zahir Pajaziti deri te ai Skënderbeu në kryeqytet.

Protesta e gazetarëve në korrik.

Disa mediume i vendosën në tokë pajisjet e tyre të punës, si kamerat, tripodet dhe mikrofonat, për t’u solidarizuar me televizionin Klan Kosova.

Protesta e gazetarëve të Kosovës, gjendej edhe në ballinat e mediave ndërkombëtare ndërsa nga QUINT-i dhe Bashkimi Evropian ishte kërkuar që të mos cënohet demokracia dhe liria e shprehjes.

“Prej së larti poshtë s’bien parat, po bien punëtorët” – protesta e sektorit privat

Gjatë periudhës dy vjet e gjysmë të qeverisjes Kurti, ka pasur edhe greva të punëtorëve të sektorit privat të cilët ankesë kryesore e kishin pasur pagën minimale në sektorin privat e cila vazhdon të jetë 130 deri në 170 euro, pavarësisht se Qeveria e Kosovës kishte premtuar 350 euro për një pagë të tillë.

“Qeveria e Kosovës i kërkon kompanive që të rritin pagat sa për sy e faqe, por në realitet punëtorët tanë paguhen me 170 euro. Në vitin e zgjedhjeve, po ua përkujtojmë çka na thanë, na thanë që në 2022 do të kemi pagë minimale 350 euro, pas dy vjetësh janë 170 dhe 130 euro”, kishte thënë kryetari i Sindikatës Private, Jusuf Azemi më 1 maj.

“Liri, barazi, solidaritet”, “poshtë racizmi”, “poshtë homofobia”, “pagë për punë të shtëpisë”, “prej së larti poshtë s’bien parat, po bien punëtorët”, “rrogat si lëmosha punëtorët hanë trosha”, ishin vetëm disa nga pankartat që ishin shfaqur kundër shtypjes së klasës punëtorë me 1 maj.

Foto: Albanian Post.

Deri në gusht të 2023-ës në sektorin privat në vendin e punës kishin vdekur 18 punëtorë.

Në tetë muajt e fundit kanë vdekur 18 persona në vendin e punës, gjashtë persona më shumë që nga muaji qershor atëherë edhe kur kishte raportuar Albanian Post për një rekord të zi qysh nga paslufta në Kosovë.

Vdekjet, që kanë ardhur për shkak të dështimit të kompanive të ndërtimit që të sigurojnë masat e duhura mbrojtëse për punëtorët, dënohen nga shteti me shifra qesharake.

Kompanitë ku punëtorët humbin jetën dënohen më së shumti deri 2 mijë euro.

“Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot?”

Në gusht dhe në shtator ishin punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës, ku edhe përfundoi protesta e tyre.

“Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot?”, “Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar për 2+1 vite!”, ishin disa nga pankartat që ata mbanin në duar.

Ndërsa, në fjalën e tij, kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, theksoi se punëtorët fizikë janë të diskriminuar, duke shtuar se këta punëtorë janë dëmtuar rrënjësisht, meqë sipas tij janë të shantazhuar e të shkelur.

Përplasja e punëtorëve të KEK-ut me Policinë e Kosovës gjatë protestave.

Protesta e punonjësve të KEK-ut në shtator dërgoi edhe në përleshje me Policinë e Kosovës pasi që punonjësit kishin tentuar që të futen me forcë në objektin e kompanisë.

Minatorët në ditën e 10-të në grevë

Kombinati metalurgjik Trepça – i cili gjendet në jug dhe në Veri të Mitrovicës, grevat i ka pasur të njëpasnjëshme tash e sa vjet duke kërkuar përmirësim të kushteve.

Por greva që nisi nga 24 tetori e që po vazhdon tash e 10 ditë bëri që gjendja shëndetësore e mbi 250 punëtorëve të përkeqësohet.

Kjo për shkak se po kërkojnë plotësimin e tri kërkesave, përmirësimin e kushteve, t’u dalin pagat me kohë si dhe të shkarkohet menaxhmenti.

Një takim i mbajtur mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pozitë e opozitë, të martën, me sindikatën e Trepçës nuk çoi në ndonjë rezultat që kjo grevë të ndalohet.

Foto: Albanian Post.

Nga opozita në një bisedë për Albanian Post u tha se pushteti refuzoi që kërkesat për minatorët të plotësohen.

Të enjten e 2 nëntorit, në seancën e Kuvendit të Kosovës pushteti refuzoi të miratoj mocionin për minatorët, kështu duke i lënë ata në pritje të realizimit të kërkesave të tyre teksa greva po vazhdon dhe gjendja shëndetësore e tyre po përkeqësohet.

“Kërkesat tona janë ekonomike e sociale” – protesta e njësisë elitare të Policisë para Qeverisë

Prezencën e tyre në sheshe i shohim vetëm në festa nacionale kur parakalojnë së bashku me njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, por e mërkura e 1 nëntorit bëri një dallim.

Rreth orësh 12:00 Njësia Speciale Intervenuese u pa në Sheshin “Skënderbeu”, konkretisht, në oborrin e Qeverisë së Kosovës, jo për të parakaluar me krenari, por për të protestuar për herë të parë.

Ashtu edhe siç u paralajmërua me maska në fytyra e pa shoqërimin e armëve pjesëtarët e njësisë më elitare të Policisë së Kosovë, të njohur ndryshe edhe si FIT, të cilët zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, për rreth 10 minuta qëndrim në heshtje shprehën pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeveria e Kosovës.

Protesta e Njësisë Speciale/FIT.

Ata përveç heshtjesh – si simbolikë për të shprehur indinjatën e tyre ndaj kushteve të punës, pagave por edhe mungesës së komunikimit korrekt nga niveli politik i Qeverisë në ditën më kritike për vendin (24 shtator) – edhe folën duke parashtruar kërkesa e tyre konkrete ndaj ekzekutivit kosovar.

Pas protestës së pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) e njohur ndryshe edhe si FIT, para objektit të Qeverisë së Kosovës, këtë të enjte protestë brenda objektit paralajmëruan edhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative.

Për herë të dytë, Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) kishte protestuar më 9 dhjetor me të njëjtat kërkesa të cilat nuk u miratuan në takimin që zhvilluan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 15 nëntor.

Ata po kërkojnë të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve, ndërsa rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Edhe pas dy kërkesave akoma s’është bërë një zgjidhje për këtë njësi nga pushteti.

Më 14 dhjetor, një protestë para Qeverisë së Kosovës e kanë mbajtur edhe zjarrfikësit për të kërkuar kushte më të mira të punës dhe pagës për rrezikshmërisë.

Protesta e zjarrfikësve.

Kërkesat e zjarrfikësve në këtë protestë kanë qenë që të sigurohet buxhet emergjent, lehtësim dhe ndryshimin e masave të pushtetit lokal, analizimin e çështjes së rrezikshmërisë në punë dhe nisjen e kompensimit të rrezikshmërisë nga shkurti, e po ashtu të filloj kompensimi për orarin e ndërrimit të natës, si dhe punës në festa shtetërore.

Kosova në vitet e fundit është përballur me mungesë të zjarrfikësve, por edhe ata që janë aktiv edhe në të kaluarën kanë thënë se nuk i posedojnë as kushtet minimale për punë.

Protesta e fundit ka qenë më 22 dhjetor ku sindikata e Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar sërish pranë zyrave të KEK-ut në Prishtinë.

Protesta e sindikatës së KEK-ut.

Sipas sindikatës kjo protestë vjen pas dështimit të marrëveshjes për ngritjen e pagave për punëtorët.

Sindikata e KEK-ut kishte vlerësuar se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve, dhe paralajmëron hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore