Shqipëria

2022 mund të jetë ndër vitet më të vështira që ka parë njerëzimi – “shumë shtete mund të falimentojnë”


Foto ilustrim

Kriza energjetike, rënia e vlerës së aseteve, një varg falimentimesh në vendet në zhvillim si dhe kolapsi i tregjeve mund të dominojnë lajmet në muajt e ardhshëm.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian tashmë janë njoftuar me krizën energjetike që përbën problemin numër një.

Sipas një artikulli të publikuar në mediumin kroat Jutarnji, del që Gjermania preket më së shumti. Madje, atje qytetarët kanë filluar të kursejnë edhe ujin.

“Gjermanët kanë filluar ta ndajnë në racione ujin e ngrohtë, të kursejnë ngrohjen e pishinave të jashtme, të zvogëlojnë numrin e pajisjeve të ndriçimit publik kurse ministrat rekomandojnë dushe më të shkurtra”, thuhet në artikullin e Jutarnji.

Në Gjermani, thirrjet e vazhdueshme për administratat e qyteteve janë pothuajse apokaliptike.

Atyre u thuhet të ndalin ndriçimin publik gjatë natës, të ndalin semaforët, të ndalin ujin e nxehtë në ndërtesat publike, muzetë dhe qendrat sportive, të ndalin ndriçimin e ndërtesave historike dhe atraksioneve turistike etj.

“Në lagjen Lahn-Dill tashmë nuk ka ujë të ngrohtë në shkolla dhe në 60 gjimnaze. Dyseldorfi ka mbyllur plotësisht kompleksin e pishinave Munster-Therme.”

E në Berlin, sipas mediumit kroat, situata është “pak” më e mirë. Atje qytetarët kanë filluar të ngrohen me dru.

“Qytetarët blejnë masivisht shporetë me dru ose restaurojnë të vjetrat. Kanë shpërthyer shitjet e druve të zjarrit, peletit dhe qymyrit”.

Mediumi kroat vlerëson se në Gjermani kostot e energjisë për familjet katër anëtarëshe janë rritur 200 për qind. Gjithsej 3800 euro në vit.

Kurse, lajmet nuk janë aspak të mira për vendet në zhvillim. Këto vende janë në rrezik të falimentojnë.

“Vlerësohet se rreth një e katërta e borxheve të vendeve në zhvillim janë me rrezik të lartë dhe ka shumë të ngjarë që një numër vendesh të falimentojnë për shkak të kostos në rritje të rifinancimit të borxhit”.

Sipas Bloomberg Economics, shanset më të larta për falimentim janë në Egjipt, Tunizi, Pakistan, Gana, El Salvador.

“Gjithsej 19 vende, ku jetojnë më shumë se 900 milionë njerëz, janë në një gjendje stresi financiar që do të rezultojë në falimentimin apo ndërprerjen e pagesës së detyrimeve ndaj investitorëve ndërkombëtarë, dhe në pjesën më të madhe ata me siguri do të humbasin aftësinë për të paguar borxhet e tyre”.

Rreth 17 për qind e borxheve totale në vlerë prej 1.4 trilion dollarësh janë në rrezik.

Ndikimi negativ që kanë këto shifra në përformancën financiare të vendeve perëndimore është shumë i madh. Frika është se dështimet e këtyre vendeve do ta bëjnë edhe më të vështirë situatën ekonomike e sociale.

Anëtarët e BE-së, të cilët njihen për planifikim më të mirë dhe përgatitje më të mirë, tashmë e kanë njohur krizën energjetike si problemin aktual kombëtar numër 1.

Mobilizimi kaq i madh i shteteve të zhvilluara nënkupton se shumë më e vështirë do jetë për shtetet që megjithatë nuk i kanë ekonomitë në nivel me ato të Bashkimit Evropian.

Dimër shumë i vështirë pritet të jetë edhe për vendet me ekonomi të brishta të Ballkanit Perëndimor.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore