Shqipëria

2 vite nga shpallja non grata e Berishës, Déjà vu në PD


19 maji shënon një ditë kalendarike të zakonshme si të gjithë të tjerat.

Por, jo për Sali Berishën dhe historinë e politikës në Shqipëri.

Në këtë datë, plot 2 vite më parë, ish-presidenti, ish-kryeministri, dhe ish-kreu i Partisë Demokratike shpallet non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) duke u bërë kështu figura më e lartë që akuzohet nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion.

Përpos njollës së zezë, ky vendim do të shërbente dhe si “shkak” për të tatëpjetën e opozitës në vend.

Fill pas njohjes me shpalljen, kryetari i asokohe i selisë blu, Lulzim Basha, do të përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar demokrat. Ky i fundit do të niste një tur, që më vonë u quajt si Foltorja.

Qytetarët e vendit përgjatë kësaj periudhe kohore panë akuza dhe kundërakuza që nuk ishin dëgjuar më parë.

Basha që për herë të parë artikulonte fjali që sulmonin Berishën për 21 janarin. Ai e akuzoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm.

Berisha, nga ana tjetër, që deri një vit më parë nuk kishte qenë në dijeni të financimit rus të PD-së, kujtohet për ta lënë topin në portën e Bashës.

E kështu vijoi situata në PD me Kongrese dhe Kuvende.

Gati çdo e shtunë e dhjetorit 2021 ishte kthyer në ditën e demokratëve, njëri nga Pallati i Kongreseve dhe tjetri nga stadiumi Air Albania mbanin fjalimet për të ardhmen.

Njëra palë ndërtonte ditën dhe tjetra rrëzonte natën.

Por kjo vijoi deri në mbajtjen e zgjedhjeve të 6 marsit të vitit 2022.

U cilësuan si një shuplakë për Partinë Demokratike zyrtare, e cila u rendit si forcë e tretë e pallogaritshme përballë mazhorancës dhe rivalëve Meta dhe Berisha.

Situata shërbeu si një reflektim për selinë blu.

15 ditë më pas, kreu i saj, Basha jep dorëheqjen. Nga aty ai fillon të zhduket nga skena politike dhe pse zyrtarisht emri i tij nuk është çregjistruar nga Gjykata.

Berisha nuk humbet aspak kohë, në maj, ai zhvillon zgjedhjet që rezultati i të cilave dihej ende pa dalë.

Ai ishte përballë Ibsen Elezit për kreun e PD-së dhe padyshim i fiton ato.

Nga zgjedhjet loja zhvendoset në Gjykatë. Teksa shkalla e parë njeh të gjitha vendimet e kongresit të Berishës, ajo e Tiranës i hedh poshtë.

Pjesa tjetër është histori.

Vula i mbeti PD-së zyrtare. Situata u përsërit, por në vend të Bashës ishte Enkelejd Alibeaj.

Edhe në këto zgjedhje të 14 majit u duk sikur opozita përjetoi një déjà vu të asaj që ndodhi një vit më parë.

Alibeaj njëjtë si paraardhësi i tij jep dorëheqjen për rezultatin që e renditi forcën më të madhe opozitare në dikur, si forcë të katërt.

Berisha ndodhej në të njëjtin pozicion.

Por, këtë herë me një rezultat edhe më shkatërrues dhe me një shpallje non grata tjetër mbi supet e tij.

Ai tashmë është i padëshiruar nga SHBA-të dhe Britania, por mesa duket zgjedhjet treguan se ai është i padëshiruar edhe nga elektorali blu, i cili i dha vetëm 7 bashki (jo dhe aq të rëndësishme).

Por kjo nuk do e ndalojë Berishën, i cili ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet.

Pas betejës imagjinare në Francë kundrejt shpalljes non grata (çështje e harruar), ai ka nisur lobimin në SHBA.

Deri në përvjetorin tjetër, nuk i dihet, mbase edhe e arrin qëllimin…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore