Lajme

2 euro pritet të kushtojë një litër naftë në Kosovë, ekonomistët tregojnë çfarë duhet të bëjë Qeveria që ta parandalojë


Nga 1.60 deri në 2 euro pritet të kushtojë një litër naftë në Kosovë gjatë ditëve në vijim.

Kështu ka paralajmëruar për Albanian Post, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, pasi sipas tij këtë rritje po e imponon konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë dhe reduktimi i prodhimit në organizatën prodhuese.

“Trendi është duke treguar se do të rriten çmimet dhe do të arrijnë 2 euro, në Shqipëri veç ka mbërri 2.20, kështu që kjo pritet të jetë edhe në Kosovë”, tha Berjani.

Sipas tij, këto janë çmime ekstreme, lufta e ka bërë të veten, çmimet janë enorme të shtrenjta dhe janë duke u shtrenjtuar në çdo moment”.

Fadil Berjani

Ndërsa ekonomisti Erton Bega, thotë për AP se Qeveria mund të ndërhyjë në çmimin e derivateve vetëm përmes uljes së akcizës, uljes së TVSH-së për një periudhë të afatizuar, apo përmes përcaktimit të tavanit të marzhës.

“Meqenëse ne nuk i prodhojmë këto produkte e as nuk kemi rafineri për përpunimin e tyre dhe për rrjedhojë nuk kemi rezerva shtetërore”.

“Prandaj mekanizmat që i ka në dispozicion qeveria janë të kufizuar por mund të zbusin paksa efektin e çmimeve të ngritura si pasojë e agresionit rus në Ukrainë”, theksoi Bega.

Ndërsa për këtë rritje të çmimeve të naftës, Qeveria e Kosovës me 1 mars doli me vendim se do të përcaktojë çmimet maksimale për naftë dhe derivate të naftës.

Erton Bega

“Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, Qeveria mori vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë”, thuhej në njoftim për media.

Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për rritjen enorme të çmimit të naftës, duke shkruar në Facebook “një krizë e re, një paaftësi e re”, derisa ka listuar katër vendime urgjente për qeverinë si të zvogëlohet çmimi i karburanteve.

Abdixhiku ka shtuar se meqë qeverisja është më tepër se sa fotografi, “propozojmë që në urgjencë të merren katër vendime”.

Si pikë të parë ai ka përmendur të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajtë e ardhshëm.

“Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë”.

Lumir Abdixhiku

Ndërsa si pikë të dytë në vijë me praktikat e shumta ndërkombëtare, të vendoset racionimi i sasisë së naftës që një individ mund të blejë.

“Duhet të pranojmë që jemi në krizë, furnizimet e kufizuara duhet të ndodhin sa më pare”.

Si pikë të tretë, “Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale”.

Ndërkaq në pikën e fundit, i pari i LDK-së ka kërkuar të ofrohet një plan afatgjatë i përballueshmërisë.

“Qeveria të reagojë sa më parë. Ndonëse do të jetë sërish e fundit në reagim, praktika e vëzhgimit e arsyetimit se kjo është krizë globale është braktisje e re e qytetarëve edhe në një krizë”.

Ndryshe gjatë muajit maj të vitit 2020 në pikun e pandemisë COVID-19 ishte shënuar një rekord i rënies së çmimit të naftës në Kosovë.

Kështu çmimi i karburanteve gjatë kësaj periudhe kishte rënë deri në 80 cent për një litër karburant.

Në anën tjetër, në Kosovë përveç rritjes së çmimit të naftës, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore