Lajme

16.6% të papunë nga 77 mijë qytetarë të aftë për punë në Kosovë


Ilustrim

Edhe pse shifrat vazhdojnë të tregojnë se në Kosovë jeton një popullsi e re, madje më e reja në Evropë, po kjo popullsi ka një përqindje të lartë të të papunëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencisë së Statistikave të Kosovës në tre mujorin e parë të vitit 2022 shkalla e papunësisë në vend ishte 16.6 përqind.

“Sipas tremujorit të parë të AFP-së 2022 në Kosovë ka pasur 77,220 persona të moshës 15-64 vjeç, që ishin të papunë, 51,863 nga të cilët ishin meshkuj dhe 25,357 femra. Shkalla e papunësisë ishte 16.6 %, më e lartë ishte tek femrat me 18.9% se sa te meshkuj, 15.6 %“.

Por këto shifra, janë pak më të ulta se sa në tre muajt e fundit të vitit 2021.

“Krahasuar me tremujorin paraprak të AFP-së (TM4-2021) në Kosovë, kemi rënie të shkallës së papunësisë me 2.4%, ku kjo rënie te meshkujt ishte me 1.4%, përderisa te femrat kjo rënie ishte me 5.2%”.

Por, tre muajt e parë të këtij viti, 2021, numri i të papunëve ishte më i vogël, krahas tremujorit të parë të këtij viti.

“Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM1-2021) të AFP-së në Kosovë, kemi rënie të shkallës së papunësisë me 9.2%, ku kjo rënie te meshkujt ishte me 8.6% përderisa te femrat kemi rënie të shkallës së papunësisë me 10.8%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.6%.

Ndërsa, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2022 është 32.2%. Punësimi me i lartë është te meshkujt 46.6%, ndërsa punësimi te femrat është 17.9%.

Femrat, sipas të dhënave të ASK-së, janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 46.4% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 36.0%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 15.5% duke vazhduar me arsimin me 9.5%, aktivitet të shërbimeve tjera 9.1%, prodhimi me 8.7% dhe ndërtimtaria me 7.8%.

Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 47.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 52.9% kanë kontratë të përkohshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore