Shqipëria

15 vite Shqipëria në NATO, Blinken: Mbetemi krenarë që jemi me ju si aleatë


“Në emër të Shteteve të Bashkuara, përgëzoj Shqipërinë dhe Kroacinë për 15-vjetorin e anëtarësimit tuaj në NATO”.

Kështu është shprehur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në 15 vjetorin e anëtarësimit të vendeve në Aleancë.

Ai thekson se “15 vjet më parë, ne kremtuam angazhimin e demokracive tuaja jo vetëm për mbrojtjen e Aleancës sonë, por edhe për mbrojtjen e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”.

“Sot, ne nderojmë angazhimin tuaj të vazhdueshëm për të penguar dhe mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s, siç mbrojmë edhe vlerat tona të përbashkëta demokratike. Në këtë përvjetor, ne mbetemi krenarë që jemi me ju si aleatë. Ndërsa Aleanca jonë vazhdon të rritet dhe të përshtatet për të adresuar sfidat në zhvillim të së ardhmes, NATO është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë”.

Një mesazh ndërkaq për 15-vjetorin e anëtarësimit e ka dhënë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili e ka etiketuar çastin historik si një ngjarje që e ka kthyer Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore.

Sipas Begajt, kjo ngjarje historike ka kthyer Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore.

Përmes një mesazhi publik, Begaj shkruan se data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës.

“Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin”, shkruan ai.

Më tej, kreu i shtetit përmend se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Ai ka shprehur mirënjohjen ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve strategjikë, të cilët e mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

Në 15 vite pjesë të aleancës, Shqipëria ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën euroatlantike sipas presidentit.

Ai nuk ngurroi edhe të shprehte krenarinë për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje.

“Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, e përmbyll ai mesazhin.

Ndërsa, sipas kryetares së Parlamentit shqiptar, Lindita Nikolla, Shqipëria është shembulli konkret se si kontributi i një vendi në NATO nuk matet as për nga madhësia, as për nga pasuria e niveli i zhvillimit, apo deri edhe te historiku e jetëgjatësia si anëtare e Aleancës.

Por, varet nga përkushtimi i sinqertë për paqen.

Kështu reflekton ajo në 15-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, duke kujtuar edhe faktin se Shqipëria është ndër anëtarët më të rinj në këtë organizatë.

“Shqipëria e ka fituar besimin dhe bindjen e ShBA dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj të NATO-s, me përkushtimin e qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve”, shkruan Nikolla.

Nga ana tjetër, për presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michal Szczerba, Shqipëria sot, 15 vjet pas anëtarësimit të saj të plotë, është një aleate e fortë e një Aleance të fortë, e cila mbron 1 miliardë qytetarë brenda kufijve të saj.

Kështu e ka përshkruar ai rrugëtimin shqiptar në këtë një dekadë e gjysmë, duke kujtuar edhe aderimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë njëkohësisht, në NATO, më 1 prill 2009.

Sipas Szczerba-s, sot të dy vendet janë pjesë e fortë e aleancës, me kontribute në mbrojtjen e kufijve, mbështetjen e Ukrainës, promovimin e vlerave të përbashkëta dhe mbrojtjes së rendit ndërkombëtar.

“Dua të uroj parlamentet shqiptare dhe kroate, qeveritë dhe njerëzit e Shqipërisë dhe Kroacisë, për këtë përvjetor dhe t’i falënderoj për kontributin dhe angazhimin e tyre në NATO dhe Asamblenë tonë”, ka përkufizuar Szczerba.

15 vjet në NATO, Nikolla: Shqipëria shembulli se kontributi nuk varet nga madhësia dhe pasuria

Në 15 vjet pjesë e organizatës, Shqipëria ka arritur të jetë në nivelin e kërkuar nga Aleanca më e madhe ushtarake në botë, duke vënë në gatishmëri trupat e saj për misionet e nevojshme dhe të kërkuara.

Mbi të gjitha, vendi ka arritur tashmë që të alokojë nga buxheti i shtetit kuotën e përcaktuar prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për Mbrojtjen.

Në vitet e fundit, pozita strategjike e Shqipërisë është rritur gjithashtu, ku së fundmi është reflektuar edhe me hapjen e një baze ajrore në Kuçovë, e cila operohet nga NATO-ja.

Interesa janë treguar edhe për hapjen e një porti detar për qëllime ushtarake të NATO-s në zonën e Pashalimanit, apo edhe të Porto Palermos, me propozim të Qeverisë shqiptare.

Për SHBA-të ndërkaq, Shqipëria është një aleate e domosdoshme në NATO, e cila ka kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen kolektive dhe stabilitetin rajonal.

Kështu theksohet në një publikim të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, në të cilin edhe urohet 15-vjetori i anëtarësimit të vendit në Aleancë.

“Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka dëshmuar të jetë një aleate e domosdoshme, duke kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen tonë kolektive dhe stabilitetin rajonal. Si një partner i palëkundur, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë thellësisht lidhjet e forta që ndajmë me Shqipërinë”, shkruhet në njoftim.

Nga ana tjetër, sipas ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Shqipëria është një kontributore e përkushtuar e NATO-s, duke qëndruar me krenari me aleatët e saj për të mbështetur vlerat e përbashkëta dhe për të përqafuar paqen.

Përmes një mesazhi në median sociale, Hasani ka kujtuar 15-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, duke e quajtur atë një rrugëtim të përkushtimit, solidaritetit dhe mbrojtjes kolektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore