14 maji, data zyrtare e zgjedhjeve vendore në Shqipëri
Vitjon Nina
24.10.2022 15:08Do të jetë 14 maji, data e dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, për mbajtjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2023.
Sipas njoftimit nga zyra e Presidentit, periudha deri në fillim të procesit zgjedhor, është tepër me rëndësi për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për të gjitha institucionet e vendit.
Partitë politike si edhe e gjithë shoqëria shqiptare, duhet të angazhohen për të shfaqur pikërisht përkushtimin dhe bashkëpunimin institucional, përpara mbajtjes së votimeve.
Një thirrje ndërkaq, ka shkuar për zyrën e Komisionerit zgjedhor, e cila duhet të përshpjetojë punën dhe të adresojë të gjitha çështjet dhe rekomandimet e dala nga raporti i OSBE/ODIHR-it, në mënyrë të përshpejtuar, për të pasur një proces sa më të rregullt.
Rivendosja e normalitetit politik në pushtetin vendor është një domosdoshmëri sipas kreut të shtetit, duke risjellë në kujtesë faktin se zgjedhjet e fundit vendore, janë zhvilluar me pjesëmarrëse vetëm Partinë Socialiste dhe pa opozitën.
14 maji, ka qenë edhe afati i fundit kushtetues për mbajtjen e procesit zgjedhor.
Një konsultim i gjerë me palët politike, është mbajtur nga Begaj në javën e parë të tetorit, për të marrë edhe dakordësinë e çdo kahu mbi periudhën kur duhet të mbahen votimet.
Ashtu si e deklaruar edhe më parë nga kampet politike, 14 maji ka qenë një datë e preferuar prej të gjithëve, pasi lejon më shumë kohë për përgatitjen politike dhe në terren.
Mbi të gjitha, kjo gjë vlen për opozitën, e cila është ende e ndarë në dy kampe sa i përket kandidaturave.
Në takimet e fundit “pajtuese”, palët brenda Partisë Demokratike kanë rënë dakord të dalin në zgjedhje me një kandidat, por metoda që do të ndiqet ende nuk është e qartë.
Kjo, pasi kreu i demokratëve, Sali Berisha, ka deklaruar se do të ketë primare në PD, sa i përket kandidaturave për pushtetin vendor.
Ndërsa, sa do i bashkohet fraksioni i drejtuar nga Enkelejd Alibeja, ende nuk është bërë e ditur.