Art&dizajn

134 vite më parë u përurua Kulla Eiffel


Kulla Eiffel

Më 31 mars të vitit 1889, saktësisht 134 vite më parë, në kryeqytetin francez, Paris, u përurua një nga monumentet më të bukura dhe më atraktive të Botës, Kulla Eiffel.

Në ceremoninë e organizuar, e cila kryesohej nga Gustave Eiffel, projektues i kullës, morën pjesë kryeministri i atëhershëm francez, Pierre Tirard, personalitete të tjera dhe 200 punëtorë ndërtimi që kishin punuar në këtë projekt.

Ky projekt ishte iniciuar nga Qeveria franceze për nder të 100 vjetorit të Revolucionit Francez (1789).

Ata kishin shpallur një konkurs projektimi për një monomet i cili do të ndërtohej në Champ-de-Mars, në qendër të Parisit, vendi ku gjendet tani kulla Eiffel.

Nga më shumë se 100 dizajne të dorëzuara, Komiteti Vlerësues kishte zgjedhur plan-projektin e Eiffel-it për një kullë prej hekuri të punuar me rrjetë të hapur që do të arrinte pothuajse 1000 metra mbi Parisin dhe do të ishte struktura më e lartë në botë e bërë nga dora e njeriut.

Eiffel, një ndërtues i njohur i urave, ishte një mjeshtër i ndërtimit metalik dhe projektoi kornizën e Statujës së Lirisë që ishte ngritur në portin e Nju Jorkut.

Mirëpo, Kulla e Eiffel-it, për dallim nga tani, atëherë ishte pritur me skepticizëm nga kritikë të cilët argumentonin se struktura e saj do të ishte e paqëndrueshme .

Por, i pashqetësuar, Eiffel përfundoi kullën e tij të madhe në një periudhë kohore prej vetëm dy viteve. Ndërkaq, gjatë punimeve për këtë kullë vetëm një punëtor e kishte humbur jetën, e që në atë kohë ishte një numër jashtëzakonisht i ulët viktimash për një projekt të atyre përmasave. Struktura e lehtë dhe e ajrosur ishte nga të gjitha llogaritë një mrekulli teknologjike dhe brenda pak dekadash u konsiderua si një kryevepër arkitekturore.

Kulla Eiffel është 984 metra e lartë dhe përbëhet nga një kornizë hekuri e mbështetur në katër kalata murature, nga të cilat ngrihen katër kolona që bashkohen për të formuar një kullë të vetme vertikale. Platformat, secila me një kuvertë vëzhgimi, janë në tre nivele. Ashensorët ngjiten në kalatat në një kthesë dhe Eiffel kontraktoi kompaninë Otis Elevator të Shteteve të Bashkuara për të projektuar ashensorët e famshëm të kullës me kafaz xhami.

Ashensorët nuk u përfunduan deri më 31 mars 1889, megjithatë, Gustave Eiffel, u ngjit në shkallët e kullës me disa shokë të guximshëm dhe ngriti një trengjyrësh të madh (Flamurin e Francës) në shtizën e flamurit të strukturës. Më pas u nisën fishekzjarrë nga platforma e dytë. Eiffel dhe grupi i tij zbritën, ku arkitekti iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

Në fillim të majit u hap Ekspozita Ndërkombëtare e Parisit dhe kulla shërbeu si portë hyrëse në panairin gjigant.

Kulla Eiffel mbeti struktura më e lartë në botë e krijuar nga njeriu deri në përfundimin e ndërtesës Chrysler në Nju Jork në vitin 1930. Në mënyrë të pabesueshme, Kulla Eiffel u shkatërrua pothuajse kur qiraja 20-vjeçare e Ekspozitës Ndërkombëtare për tokën skadoi në vitin 1909, por vlera e saj si një antenë për transmetim radio e ruajti. Ajo mbetet kryesisht e pandryshuar në ditët e sotshme dhe është një nga atraksionet kryesore turistike në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore