Lajme

13 kandidatë kanë aplikuar për dy vende të lira në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës


Adnan Rrustemi.

13 kandidatë kanë aplikuar për t’u bërë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën janë dy vende të lira.

Komisioni i posaçëm për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka mbajtur mbledhje ku shqyrton dokumentacionet e tyre, nëse i plotësojnë kushtet e kërkuara me Ligj.

Kryetari i këtij Komisioni, Adnan Rrustemi, në një konferencë për media bëri të ditur se të 13-të kandidatët u nominuan për të kaluar në fazën tjetër.

“Sot Komisioni i Posaçëm për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kishte mbledhjen e radhës, natyrisht në këtë fazë trajtoi të gjitha nominimet e bëra sa i përket pozicionit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Siç mund ta dini janë dy pozicione të lira të gjyqtarëve në Kushtetuese për të cilën janë nominuar 13 kandidatë”.

“Komisioni i posaçëm sot shqyrtoi një për një secilin kandidat, dokumentacionin, përvojën e kështu më radhë, dhe në fund miratoi të gjithë të 13-it për të kaluar në fazën tjetër të testit me shkrim dhe të intervistës me gojë”, tha Rrustemi.

Adnan Rrustemi.

Ai bëri të ditur se testi me shkrim dhe intervistim me gojë do të bëhet më 29 mars.

“U vendos që më 29 mars të zhvillohet testi me shkrim për kandidatët kur Komisioni i posaçëm paraprakisht do të mblidhet për të hartuar pyetjet për testin me shkrim. Uroj që kësaj here Kuvendi i Kosovës të përzgjedh dy kandidatët më të mirë për të kompletuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas tij, “Gjykata Kushtetuese ka kuorum, nuk ka pengesë për vendimmarrje por sido që të jetë, Kuvendi i Kosovës është një institucion që ka përgjegjësi për të kompletuar dhe për ta funksionalizuar tërësisht edhe këtë institucion si të tjerët”.

Ndryshe, të hënën e 14 marsit ka filluar shqyrtimi i kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, me të cilin është duke u marrë një komision i veçantë.

Anëtarët e Komisionit do t’i shqyrtojnë nominimet, nëse kandidatët i përmbushin kushtet e parapara me Kushtetutë dhe Ligj.

Intervistimi është filluar me Albert Zogaj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si dhe Agim Ferati nga Këshilli konsultativ për Komunitete Zyra e Presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore