Lajme

13 deputetë zviceranë letër KE-së: Jemi të befasuar me masat e njëanshme të BE-së ndaj Kosovës


Flamuri i Kosovës dhe Zvicrës.

13 deputetë nga Zvicra i kanë shkruar Komisionit Evropian për të kundërshtuar masat që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës.

Përmes një letre të publikuar nga deputeti i Këshillit Nacional të Zvicrës nga Partia Social-Demokrate, Cedric Wermuth është thënë se qëndrimet e BE-së “duhet të rishqyrtohen”.

“Letër e disa parlamentarëve zviceranë nga Liberalët e Gjelbër, EVP, Të Gjelbrit, Socialdemokratët, ndaj Ursula von der Leyen, në lidhje me qëndrimin e pabalancuar të Komisionit të BE-së, Miroslav Lajçkuat e Josep Borrellit në konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Wermuth në Twitter.

Në këtë letër janë shprehur edhe shqetësimet për veprimet dhe qasjen e BE-së në raport mes dy vendeve.

Po ashtu, janë kritikuar edhe masat që janë quajtuar “të njëanshme nga BE-ja” duke thënë se kështu veprohet në raport me qeverinë e Ballkanit Perëndimor që mbështet Ukrainën në luftën nga agresioni rus.

“Ne ndajmë shqetësimin tuaj për situatën e tensionuar në Republikën e Kosovës dhe ju falënderojmë juve dhe Bashkimit Evropian (BE) për të gjitha përpjekjet tuaja për deeskalim deri më tani”.

“Është pjesë e rolit të Bashkimit Evropian që të kërkojë hapa konkretë nga të gjitha palët e përfshira dhe t’i zbatojë ato. Megjithatë, ne jemi të befasuar nga fakti se kjo aktualisht po ndodh vetëm në një mënyrë shumë të njëanshme”, thuhet në letër.

Sipas deputetëve e gjithë dhuna në Veri, deri tani është krijuar për shkak të qasjes së presidentit të Serbisë.

“Presidenti Vuçiç, provokon qëllimisht kaos dhe dhunë në veri të Kosovës, kur i nevojitet brenda vendit. Nuk ishte e pazakontë që ai të hiqte dorë publikisht nga angazhimet e supozuara sapo u kthye në Beograd”.

“Megjithatë, në mënyrë të pakuptueshme, përfaqësuesit e BE-së insistojnë në mënyrë shumë të njëanshme për lëshime nga ana e qeverisë së Kosovës. Natyrisht, ne ndajmë thirrjen tuaj për të drejta të barabarta për pakicën serbe në Kosovë”.

“Kjo duhet të garantohet dhe zbatohet, nuk ka dyshim për këtë. Por veprimet e qeverisë së Kosovës, në Veri të vendit janë të bazuara në Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e sundimit të ligjit”.

Kjo letër është shkruar nga këshilltari kombëtar nga Partia Social Demokrate në Zvicër, Matthias Aebischer, Laurence Fehlmann-Rielle, këshilltar kombëtar nga Partia Social Demokrate, Roland Fischer, këshilltar kombëtar nga Partinë Liberale e Gjelbër, Claudia Friedl këshilltare kombëtar po ashtu nga Partinë Social Demokrate, Niklaus Gugger, këshilltar kombëtar nga Partinë Popullore Ungjillore.

Natalie Imboden, Këshilltare Kombëtare nga Partia e Gjelbër, Marc Jost, këshilltar kombëtar nga Partia Popullore Ungjillore, Konti Maya, këshilltar i shteteve nga Partia e Gjelbër.

Fabian Molina, këshilltar kombëtar nga Partia Social Demokrate, Eric Nussbaumer, këshilltar kombëtar nga Partia Social Demokrate, Priska Seiler Graf, këshilltare kombëtare nga Partia Socialdemokrate, Carlo Sommaruga, këshilltar i shteteve nga Partia Social Demokrate, Cedric Wermuth, këshilltar Kombëtar nga Partia Social Demokrate.

Nga sanksionet të cilat vijnë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në Veri, njëra ndër më të rëndat rezulton të jetë “shqyrtimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF)”.

Kornizë kjo e cila përmban investime në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzorë dhe bujqësisë.

Përmes këtij procesi bashkohen përfituesit donatorët dhe huamarrësit.

Dekonstruktim – cilat projekte saktësisht i humbi Kosova me sanksionet nga BE

Një varg “sanksionesh” tepër serioze janë vënë ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Plani tre-pikësh i BE-së parasheh tërheqjen e njësive elitare të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale atje, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe garancën e serbëve lokalë se do të marrin pjesë në zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore