Sport

113 zikaltër


113 vite më parë, pikërisht më 9 mars 1908, u themelua klubi i futbollit të Inter-it ose Internazionale Milano siç njihet ndryshe. Me sa duket, mënyra më e mirë për të festuar datën e lindjes ishte ajo fitore 1-0 përballë Atalanta-s, mbrëmjen e së martës. Kjo fitore i çon zikaltrit më të sigurt drejt titullit kampionë të Serisë A.

Si u krijua Inter-i?

Klubi u themelua në Milano, si pasojë e një përplasjeje që pati brenda klubit të Milan-it. Milan-i i kriketit dhe Milan-i i futbollit. Pas përplasjes pati largim të disa anëtarëve, të cilët vendosën themelimin e një klubi të ri.

Emri “Internazionale” (Ndërkombëtare) u vendos si dëshirë e themeluesve për të punuar me lojtarë të huaj dhe vendas.

“Kjo natë e mrekullueshme do të na japë ngjyrat për stemën tonë: e zezë dhe blu kundrejt një sfondi të yjeve të arta. Do të quhet Internazionale, sepse ne jemi vëllezërit e botës”, kjo ishte deklarata e parë e anëtarëve, më 9 mars 1908, pasi themelimit të klubit.

Çfarë ka ndodhur që nga ajo kohë dhe deri më sot?

Inter-i, pavarësisht trofeve, formës e gjithçka tjetër, në Itali mbahet mend për dy gjëra, që ekipet rivale nuk i kanë arritur.

E para, Inter-i është ekipi i vetëm në Itali, që nuk ka rënë asnjëherë nga kategoria. Duke filluar nga sezoni 1929/’30, zikaltrit kanë 89 sezone që luajnë në ligën kryesore të futbollit italian. Pas tyre vijnë Juventus-i dhe Roma, me nga 88 dhe Milan-i me 87.

E dyta, Inter-i, është ekipi i vetëm italian që ka fituar tripletën.

Serinë A e fitoi në javën e fundit të kampionatit, pasi mundi Siena-n, me golin e Diego Milito-s. 82 pikë, në krye të Serisë A, dy më shumë se Roma e vendit të dytë.

Në Ligën e Kampionëve, pasi kaloi grupet me sukses, u përball me Chelsea-n, më pas me CSKA Moscow-n, Barcelona-n dhe në finale me Bayern Munich-un. Në finalen e luajtur në Madrid, përballë gjermanëve, Inter-i fitoi me rezultatin 2-0, dy gola të Milito-s.

Në Kupën e Italisë, Inter-i në finale u përball me Roma-n. Përsëri shënoi Milito, në atë fitore minimale 1-0, për t’i dhënë një tjetër trofe të rëndësishëm ekipit.

Epoka e tripletës është një nga më të mirat e gjithë historisë së Inter-it. Kjo ndodhi kur në stol kishin një strateg si Jose Mourinho dhe lojtarë si: Javier Zanetti, Samuel Eto’o, Milito, Julio Cezar, Esteban Cambiasso, Maicon, Lucio, Walter Samuel, Wesley Sneijder, Mario Baloteli, Dejan Stankovic etj.

Këto janë dy nga momentet më të mira të historisë së Inter-it. Por që, sigurisht, nuk mbaron këtu historia 113-vjeçare.

Në total numërojnë 18 trofe të Serisë A, shtatë Kupa të Italisë, pesë Superkupa të Italisë, tre Liga të Kampionëve, tre Liga të Europës, dy Kupa Ndërkontinentale dhe një Kupë Bote për Klube.

Zanetti është lojtari me më shumë paraqitje me fanellën zikalter. Ish-kapiteni numëron 858 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Në nder të tij, fanella me numrin “4” që mbante ish-kapiteni është tërhequr nga klubi.

Gjithashu Inter-i ka tërhequr edhe numrin “3” në nder të ish-mbrojtësit të majtë, Giacinto Facchetti-t.

Giuseppe Meazza është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me Inter-in. Në 408 ndeshje ka realizuar 248 gola. Në nder të tij, stadiumi ku zhvillon ndeshjet Inter-i, si ekip pritës, quhet “Giuseppe Meazza”, që gjerësisht njihet si “San Siro”.

Sezoni aktual e gjen Inter-in në vendin e parë të Serisë A, me 62 pikë, gjashtë më shumë se Milan-i i vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 12 javë për t’u luajtur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore