Shqipëria

11 vjet nga 21 janari – Ende pa drejtësi


Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.

Emra krejtësisht të panjohur në rrethin e gjerë të shoqërisë shqiptare, deri më 21 janar 2011, ditën kur do të jepnin frymën e fundit, në bulevardin kryesor të Tiranës, mu përballë Kryeministrisë.

Një ndër protestat më të mëdha të demokracisë moderne shqiptare, do të kthehej edhe në një ndër më të përgjakshmet e famëkeqet, kur në drejtim të katër qytetarëve, me duar në xhepa, tërësisht të pambrojtur e të hazdisur nga kaosi, do të qëllohej prej tytave shtetërore.

21 janari, dekadën e ka mbushur si ngjarje, por ende dhemb në kujtesën e shqiptarëve.

Mbi të gjitha, i dhemb atyre, familjarëve të viktimave, të cilët përpos humbjes së madhe që duhet të përjetonin, vuajnë dhe plagën e një drejtësie të cunguar.

“21 janari vjen çdo vit e më i rëndë për familjen tonë”, thotë Mark Nika, xhaxhai i Aleksit, çështja e të cilit as nuk është zbardhur. Se kush e qëlloi nuk dihet. Plumbat e kujt i morën jetën, nuk janë detektuar.

“Vrasja e tij pat lindur e zbardhur para kamerave të televizioneve. Por paradoksalisht, është sot e kësaj dite pa autor, e pazbardhur gjyqësisht, pa asnjë të dënuar për krimin e tmerrshëm”.

Kështu e sheh Nika pas më shumë se një dekade ngjarjen. Ai thotë se pikërisht kjo jetë e rrëmbyer “kriminalisht”, do të jetë kumtuese, derisa në shesh, të dalë e vërteta dhe të hidhet dritë mbi vrasësin e tij.

Por, gishtin, Nika, e ka të drejtuar mëse drejt dhe të vendosur, për nga një figurë e vetme: Sali Berisha.

“Drejtësia le ta gjejë kush e dha urdhrin. A ishte Sali Berisha? A ishte ministri i tij i Brendshëm, Lulzim Basha? Ta gjejë drejtësia se kush ka tjetër gisht në këtë krim makabër”, nxit ai organet e posaçme.

Por nuk e ndal vetëm te autorët. Atij i dhemb drejtësia e munguar, dhe premtimi që i erdhi prej atyre që më pas morën pushtetin, e premtuan se ngjarja do të zbardhej.

Por, premtimet për të, “i mori era”.

“Qofsha i gabuar, por socialistet nuk kanë ndjeshmërinë e nevojshme per 21 Janarin”, e vijon ai rikujtimin. “Jemi koshientë se vendi ka shumë halle, qeveria ka shumë sfida. Por hallet dhe sfidat nuk duhet ta fshijnë nga kujtesa kolektive e shqiptarëve 21 Janarin”.

Kërkesa të shumta kanë ardhur edhe nga vetë ai, ndaj ministrive, Policisë, e megjithatë informacion se kush ia vrau Aleksin, nuk kanë.

“Kjo është sorollatja e turpshme. Ky është ping-pongu me një tragjedi. Kështu na mundojnë tash sa vjet. Kupa është mbushur, e nuk mban më”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore