Shqipëria

11 dhjetori i dy viteve më parë – Koha kur ‘aleancat’ në PD kishin tjetër përbërje


Mjafton një shikim prapa në kohë, jo shumë larg, vetëm dy vite më parë.

Kaq, për të kuptuar se çfarë dinamike e ka përfshirë Partinë Demokratike, në një “lëmsh” që duhet të jesh shumë i kthjellët për t’i dhënë drejtim.

Sot, më 11 dhjetor të 2023 shumëçka ka ndryshuar. Qasja, aktorët, grupimet. Ama, qëllimi mbetet i njëjtë: Shpëtimi i Partisë Demokratike. Dikush për ta nxjerrë nga uzurpimi, e dikush tjetër për ta divorcuar nga kasta e vjetër politike.

E djathta shqiptare, në këto momente gjendet në tre degëzime që hera herës bëhen dy.

Është kryedemokrati Lulzim Basha me një grusht deputetësh që i ka pas vetes, ish-kryeministri Sali Berisha me grupin e tij të “Rithemelimit” dhe deputeti Gazment Bardhi që sërish ka një grup deputetësh mbështetës.

Ky i fundit, herë është me Berishën dhe herë i kthen shpinën. Aksionin brenda Parlamentit e zhvillojnë në koordinim, por në shesh më të madh, ndryshon qasja. Kjo, marrë shkas nga hera e fundit kur Berisha mblodhi Kuvendin e tij, Bardhi mungoi. E megjithatë, në publik nuk pati hatërmbetje. Të paktën kështu tha ish-kryeministri.

Por, dy vite më parë asgjë nuk ishte njëlloj si sot. Bardhi ishte një me Bashën dhe në “sulm” të Berishës.

Madje këtë të fundit e bënte pjesë të trinomit Rama-Meta-Berisha.

“Njëri koordinon sulmin mbi PD, tjetri financon foltoren, tjetri zbaton skenarin për shkatërrimin e PD. Të tre kanë të njëjtin hall, të tre duan ta mbajnë Shqipërinë peng. Kushdo e ka të qartë se ata janë bashkë, se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Zgjidh Ramën dhe merr Berishën dhe Metën. Zgjidh Berishën e Metën dhe merr Ramën”, shkruante Bardhi në postimet e tij.

Por, as ish-kryeministri nuk ia kursente përgjigjet, të cilat hera herës kanë qenë të rënda.

Ai e akuzonte hapur Bardhin, si të përfshirë në vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, me rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Megjithatë sot, “për hir të demokratëve” secili prej tyre i gëlltitën këto akuza.

“Na Bashkoi përgjegjësia e lartë morale që kemi para 620 mijë zgjedhësve idealist që votuan kundër Edi Ramës. Rëndësi ka kundërshtari i përbashkët dhe aty nuk duhet të kemi diferenca”.

Këto ishin deklaratat, deri diku për “të larë duart” para opinionit, medias e vetë politikës.

Dhe, për t’u kthyer te fillimi i shkrimit: pse pikërisht 11 dhjetori?

Me 22 mijë e 500 pjesëmarrës, Berisha u ngjit në podiumin e Kuvendit Kombëtar të thirrur prej tij, duke e cilësuar atë si një monument madhështor të rithemelimit të forcës më të madhe politike në vend.

Me apo pa tagrin për ta bërë, ai shkarkoi Bashën dhe shfuqizoi vendimin në dëm të tij, që ishte përjashtimi. Jo vetëm kaq, u krijuan organe të reja dhe u krijua një tjetër “Kushtetutë” për PD-në.

Dhe kështu saga vijoi. Një javë pas tij Basha thirri Kuvendin tjetër, të cilin ish-presidenti Berisha e quajti si antimiting dhe ngjarje e turpshme.

Pas këtyre dy ngjarjeve PD nuk ka gjetur qetësi. Më pak përplasje me mazhorancën e më shumë mes vetes.

Kështu 9 shtatori i non-gratas së Berishës ishte pika e nisjes, për të çuar në tjera pika vlimit.

Tani, gati në ngrysje të 2023-shit nuk mbetet gjë për të thënë –veçse të shihet – për demokratët që “liderët” e partisë i takojnë ndarazi…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore