10 muaj burgim për personin që kërcënoi ambasadorin amerikan në Kosovë

SHFLETO

Seanca në Gjykatën Themelore, Prishtinë

 

Mërgesa Redenica
20.09.2021 15:26
Loading Icons...

Pas pranimit për kërcënim ndaj Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Imer Gashin me 10 muaj burgim.

Ai, më 16 qershor të vitit 2021 kishte dërguar porosi në formë elektronike në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, duke kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë.

Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, sipas aktakuzës, Gashi kishte kërkuar nga ambasadori ndalimin e grupeve kriminale në Kosovë “në të kundërtën do të ndodhte vrasja”.

I akuzuari, Imer Gashi, ka deklaruar se i kupton pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe se ndihet i penduar për veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.

“Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprën penale që e kam kryer, kërkoj falje publikisht në emër timin dhe të familjes”, është shprehur Gashi.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari e ka mbështetur mbrojtësi i tij, avokati Leart Kryeziu, i cili ka thënë se pranimi i fajësisë është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me të dhe se i njëjti ndihet i penduar, duke kërkuar nga gjykata që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Sipas aktakuzës, Gashi kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor.