Lajme

10 mijë aplikime s’kanë përmbushur kriterin për subvencionim të energjisë, 40 mijë do të subvencionohen


Ilustrim.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet cenueshme.

Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social në ‘Facebook’,  ka thënë se mbi 40 mijë familje janë kualifikuar në grupin e parë.

“40,620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike💰. Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit”, ka shkruar ai.

Sipas të dhënave të ministrisë, mbi 10 mijë aplikacione s’kanë përmbushur kriterin e të ardhurave për t’u konsideruar si familje e cënueshme.

“Kanë pasur të ardhura që kanë tejkaluar nivelin mesatar prej 150 euro/muaj/anëtar. Këta aplikues do të pranojnë një email që i njofton për refuzimin e aplikimit”.

Ministri ka shtuar se komisioni zbatues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet e familjeve që kanë aplikuar online.

“Me automatizëm janë shqyrtuar sipas kritereve të njëjta edhe familjet që në të kaluarën kanë përfituar nga skema e vjetër mbështetëse, meqenëse të dhënat e tyre i kemi pasur në databazë”.

“Të gjitha familjet që janë miratuar nga Komisioni zbatues e që kanë përfituar nga subvencionimi, këtë do të mund ta shohin në faturat e tyre të energjisë elektrike”.

Ndërsa, është thënë se do të ketë edhe një grup të dytë të aplikimeve që do të shqyrtohen, teksa aplikimi do të jetë i hapur deri më 31 janar.

“Vlen të theksohet se gjatë shqyrtimit Komisioni ka hasur në numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë përmbajtur gabime dhe ka qenë e pamundur që këto aplikime të shqyrtohen”.

“Në lidhje me këtë, aplikuesit do të pranojnë një email me udhëzimin se si të riaplikojnë me të dhëna të sakta”.

Më 8 shtator, Murati kishte bërë të ditur  se si do të aplikohet për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Ndërsa, në rast se familjet nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore