Kosova

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen në Lipjan


Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve për vrasjen e një 57 vjeçari dhe plagosjen e një të mituri në Zllakuqan të Lipjanit.

Lajmin e ka bërë të ditur Themelorja përmes një komunikate për media, ku thuhet se personi me inicialet S.K dyshohet për disa vepra penale si “vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi”, “kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.K dhe të njëjtit  i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, një muaj paraburgim i është caktuar edhe një të mituri, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për një të mitur, të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet tutje në njoftim.

Nga institucionet është vlerësuar se ky vendim është masë adekuate dhe e domosdoshme sepse nëse i  pandehuri S.K gjendet në liri, ai mund të ik dhe të arratiset, “kjo për faktin se për veprën penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë”.

“Po ashtu ekziston edhe rreziku i ndikimit në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë e sigurisë, për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale”, theksuan nga Gjykata.

Edhe në Fushë Kosovë u plagos një grua, ku dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i saj të cilit u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore