Lajme

Zyrtarët ukrainas: Ne po përparojmë në sektorët jugorë, rezistencë e dëshpëruar e trupave ruse


Forcat ukrainase po përparojnë në sektorët jugorë të kundërofensive të tyre kundër trupave pushtuese ruse, thanë zyrtarët ushtarakë ukrainas.

Raporti i fundit mbi kundërsulmimin, si dhe një përshkrim i “rezistencës së dëshpëruar” të trupave ruse në lindje, u publikua pasi Presidenti Volodymyr Zelensky tha se lëvizja në kundërofensivë ishte “gjëja më e rëndësishme”.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike “Reuters”.

“Çdo ushtar, çdo hap i ri që bëjmë, çdo metër tokë ukrainase e çliruar nga armiku është me rëndësi të madhe”, tha Zelensky në video-mesazhin e tij të natës, raportoi Reuters, i cili shtoi se nuk mund të verifikonte situatën në fushëbetejë.

Rusia nuk e pranoi zyrtarisht përparimin ukrainas në fazat e hershme të kundërofensive dhe tha se kishte shkaktuar viktima të shumta në radhët e Kievit në 24 orët e mëparshme.

Zëvendës ministrja ukrainase e Mbrojtjes Hana Malyar tha në Telegram se trupat “janë të përfshira në lëvizje aktive për të avancuar në disa drejtime menjëherë”.

“Praktikisht në të gjithë sektorët ku njësitë tona sulmojnë në jug, shënojnë suksese taktike”, thotë Malyar. “Ato po përmirësohen gradualisht. Për momentin, avancimi është deri në dy kilometra në çdo drejtim”.

Gjeneral lejtënant Oleksandr Sirisky, i cili është në krye të forcave tokësore të Ukrainës, e përshkroi më parë situatën në lindje si të tensionuar, me Rusinë duke sjellë divizionet e saj më të mira në sektorin Bakhmut me mbështetje artilerie dhe avionësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore