Lajme

Zjarri në spitalin e Tetovës, Filpçe: Pa mbaruar hetimet, nuk jap dorëheqjen


Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filpçe, në një deklaratë për shtyp pas tragjedisë që ndodhi në spitalin në Tetovë, bëri me dije se nuk do të japë dorëheqjen pa mbaruar hetimi.

“Sot në shumë media kishte thirrje për dorëheqjen time. Më lejoni t’ju them se nga përgjegjësia as kam ikur e as do të iki, por do të pres që të përfundojë hetimi”, tha ai.

Më tej, ai theksoi se nuk do të dorëhiqet, sepse në këtë periudhë nevojitet menaxhimi i një pjese të krizës, posaçërisht për pacientët e Tetovës.

“Pas mbarimit të hetimit do të sjell vendimin nëse do të jap dorëheqjen. Është e vështirë të përshkruhet me fjalë barra dhe dhimbja që e ndiej, por megjithatë do të pres përfundimin e hetimeve”.

Tri ditë zie kombëtare

Maqedonia e Veriut do të mbajë tri ditë zie kombëtare për tragjedinë në spitalin e Tetovës, ku deri tani janë konfirmuar 14 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Prej të shumtëve që gjendeshin brenda spitalit – të kthyer së fundmi në spital të specializuar kundër COVID-19 – 12 janë nxjerrë të gjallë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

14 viktima e dhjetëra të plagosur

Numri zyrtar i të vdekurve nga zjarri tragjik që përfshiu spitalin e Tetovës – të kthyer së fundmi në spital special ndaj COVID-19 – ka shkuar në 14, ndërsa prokurorët gjenden ende në terren për verifikimin e shkaqeve dhe detajeve të tjera.

Urdhra autopsie janë lëshuar nga prokurorët, ndërsa identifikimi i trupave vijon. Kërkimet për trupa të tjerë vazhdojnë në Tetovë.

Për shkak të gjendjes së trupave, disave prej tyre mund t’u nevojiten analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin.

Nga informacionet e para, të vdekur mes personelit mjekësor nuk ka. Ndërkohë që stafi spitalor është marrë në pyetje që prej orëve të vona të natës, për të mësuar shkaqet e rënies së zjarrit.

Pamjet video nga brenda dhe përreth objektit janë mbledhur po ashtu për përcaktimin e rrethanave. Zbardhja e plotë e ngjarjes, ende pritet.

Dhjetëra persona të tjerë kanë dalë të plagosur nga zjarri. Që në minutat e para pas ngjarjes, mjekët kanë luftuar për jetën e pacientëve të plagosur.

Ndërsa, ngushëllimet, kanë ardhur nga të gjithë personalitetet politike të rajonit, angazhimi maksimal është garantuar nga ata vendas në Maqedoninë e Veriut.

Një pjesë e të plagosurve janë dërguar në spitalin e Shkupit për trajtim të mëtejshëm.

Flakët kanë zgjatur diçka më shumë se 40 minuta. Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, ai u arrit të shuhet plotësisht.

Vetë kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, bëri me dije në mbledhjen emergjente se detaje të tjera do të jepen vetëm në një çast të dytë, kur gjithçka të jetë sqaruar.

5 prokurorë, për të gjetur shkaqet e zjarrit

Ndërsa nga Prokuroria Publike Themelore e Tetovës është njoftuar se pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren. Ata po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit në Tetovë.

“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizën në vendin e ngjarjes në spitalin në Tetovë”.

Sipas njoftimit, në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore