Lajme

Zhduket gazetarja e televizionit rus që protestoi kundër luftës


Një avokat i redaktores së televizionit rus që bëri një shenjë kundër luftës gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të hënën ende nuk e di se ku është ajo. Kështu ka deklaruar ai për CNN të martën.

Dmitry Zakhvatov është përpjekur të gjejë redaktoren e “Channel One” Marina Ovsyannikova që nga protesta e saj të hënën.

Zakhvatov konfirmoi për “CNN” se Ovsyannikova është gruaja që shihet në transmetim duke mbajtur pankartën dhe se ajo është redaktore e kanalit.

“Ndalo luftën. Mos i besoni propagandës që ju thonë gënjeshtra këtu”, shkruhej në tabelë, duke përfunduar në anglisht, “rusët kundër luftës”.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e hodhi poshtë protestën si “huliganizëm”.

“Për sa i përket kësaj zonje, ky është huliganizëm”, u tha Peskov gazetarëve në një telefonatë konferencë të martën, duke shtuar se autoritetet tashmë po trajtojnë rastin e saj.

“Kanali dhe ata që janë në krye po merren me të”, shtoi ai. “Kjo nuk është një çështje në agjendën e Kremlinit”.

Huliganizmi është një vepër penale në Rusi.

I pyetur në lidhje me akuzat e mundshme penale kundër Ovsyannikova, Peskov iu shmang pyetjes, duke iu referuar “përgjegjësisë” që mbajnë kanalet televizive shtetërore.

“Ka disa departamente që merren me këtë”, tha Peskov. “Transmetimi i drejtpërdrejtë i çdo kanali televiziv dhe veçanërisht ata që punojnë atje kanë një përgjegjësi të veçantë”.

Komiteti Hetimor – një agjenci e lartë ruse e zbatimit të ligjit – nisi një kontroll para-hetues kundër Ovsyannikova-s mbi “përhapjen publike të informacionit të rremë në lidhje me përdorimin e Forcave të Armatosura Ruse”, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS të martën, duke cituar një burim të paidentifikuar.

Kjo është dita e 20-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së mbi 2.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse -mes tyre edhe fëmijë.

Për të ndjekur zhvillimet e fundit të luftimeve Ukrainë-Rusi kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore