Kosova

Zgjedhjet në Veri të shpallen pa vonesa të mëtejshme, thotë Lajçak


I dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një intervistë për mediumin serb Politika.rs, ka thënë se pret që zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme.

“Ne presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme, dhe është e rëndësishme që procesi drejt kryerjes së zgjedhjeve të reja për kryetar komunash në katër komuna të fillojë më në fund me themelimin e grupeve të iniciativave serbe të Kosovës më herët në dhjetor”, tha ai.

Sipas diplomatit sllovak, rithemelimi i pushteteve lokale plotësisht përfaqësuese në veri të Kosovës është i nevojshëm për de-eskalimin e situatës në terren dhe për procesin më të gjerë të normalizimit.

“Më vjen keq që regjistrimi i grupeve iniciative fillimisht u përball me pengesa të papritura administrative, por që atëherë kam marrë garanci nga Kosova se këto probleme do të zgjidhen së shpejti në mënyrë që mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunës të fillojë menjëherë”, shtoi ai.

Gjatë kësaj interviste, ai ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke shtuar se “Kosova pritet të ecë më në fund përpara me themelimin e Asociacionit” dhe “Serbia pritet të përmbushë paralelisht pjesët thelbësore të detyrimeve të saj sipas marrëveshjes”.

“Në mes të dhjetorit, pata diskutime shtesë me të dyja palët për një numër çështjesh, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj, si dhe pyetje shtesë mbi sqarimin e projekt-statutit evropian për themelimin e Asociacionit. Gjithashtu diskutuam një numër çështjesh specifike në dialog, duke përfshirë personat e zhdukur, energjinë dhe targat. Ka patur disa përparime në këto çështje”, theksoi Lajçak.

Ai ka shtuar se bisedimet do vazhdojnë dhe pret që të ketë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit në fillim të vitit 2024, me kusht që të dyja palët të tregojnë vullnetin, guximin dhe udhëheqjen e nevojshme politike për ta bërë këtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore