Kosova

Zgjedhjet në SHBA: Çfarë duhet të presë Kosova nga Harrisi?


Kamala Harris

Duke pasur parasysh fuqinë ushtarake, politike dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara (SHBA), ajo që ndodh atje përcakton tonin e zhvillimeve në të gjithë botën. Në këtë sfond, njohës të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor presin që politika aktuale amerikane ndaj rajonit, posaçërisht ndaj Kosovës, do të vazhdojë edhe nën administratën e re që do të dalë më 5 nëntor.

Franz-Lothar Altmann, akademik i pavarur gjerman dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ak vlerësuar së fundi se zëvendëspresidentja aktuale amerikane, Kamala Harris, njëherësh kandidatja nga radhët e demokratëve në garën presidenciale të nëntorit në SHBA, do të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë që përfundimisht ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ajo ndoshta do të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë që përfundimisht ta njohë pavarësinë e Kosovës, por së pari do të angazhohet në politikën e Lindjes së Mesme”, ka theksuar Altmann në një përgjigje për platformën “European Western Balkans” më 23 gusht, derisa ka komentuar mbin perspektivën e rikthimit të republikanit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Altmann ka potencuar se trashëgimia e presidentit amerikan, Joe Biden, në mbështetje të Ballkanit Perëndimor e kundër presidentit rus, Vladimir Putin, do të vazhdojë edhe nën administratën potenciale të Harrisit. Gjithashtu, ai ka konsideruar se Harrisi “do të jetë më skeptike” sidomos kur bëhet fjalë për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndryshe prej Trumpit.

“Ndryshe nga Trumpi, ajo ka prirje negative ndaj Putinit, por edhe ndaj miqve të tij, veçanërisht në sistemet autokratike. Një pozicion i qartë anti-Putin do të nënkuptojë gjithashtu se ajo do të jetë më skeptike për Vuçiçin dhe sjelljen e mëparshme ledhatuese të ambasadorit [Richard] Grenell, i cili sigurisht që do të duhet të largohet nga politika rajonale nëse fiton Harrisi”.

Janusz Bugajski, njohës i politikës në Ballkanin Perëndimor, në një artikull autorial të botuar në platformën “The Geopost” më 13 gusht, ka thënë se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, mund të bindin administratën e re amerikane se politika rajonale e Serbisë është në thelb një “pasqyrë” e politikës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Bugajski ka shtuar se pavarësisht që Ballkani Perëndimor nuk është një prioritet ndërkombëtar për Harrisin, ajo mund të mbështesë më hapur Qeverinë e Kosovës në përpjekjet për të integruar pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe në strukturën shtetërore e shoqërore.

“Zbutja Vuçiçit duhet të marrë fund dhe një qasje më vendimtare për ‘normalizimin’ e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës do të jepte rezultat. Serbia s’mund të shpërblehet më diplomatikisht apo ekonomikisht nëse s’bën progres drejt njohjes së Kosovës”, ka shkruar mes tjerash Bugajski.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane vijnë në kohën kur Uashingtoni ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, përkundër se analistët nuk presin që politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor të ndryshojë rrënjësisht, liderët rajonalë kanë preferencat e tyre për garën presidenciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore