Kosova

Zgjedhjet ’25: LDK-ja premton se do t’ia “këpusë” rrënjët mafisë energjetike, AAK-ja zotohet për rritje të pagës minimale në 1 mijë euro


Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Katër ditë pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur që më 9 shkurt të vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhjet parlamentare, partitë politike edhe pse jo zyrtarisht kanë nisur fushatën parazgjedhore me premtime për rritje pagash e rrëzim “të mafisë energjetike”.

Të hënën, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për keqqeverisje në katër vitet e fundit, në një konferencë për shtyp të hënën, ka premtuar se nëse vjen në pushtet koalicioni AAK – Nisma, pas zgjedhjeve parlamentare, paga minimale në Kosovë do të jetë 1000 euro deri në fund të mandatit qeverisës.

“Ne jemi bashkuar për t’ia kthyer Kosovës zhvillimin, për t’i rritur pagat e pensionet dhe për t’i ulur taksat. Ne ditët e para të qeverisjes, nuk do të ketë pagë mesatare nën 1000 euro, dhe nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro. E deri në fund të mandatit, në vitin 2028, paga minimale do të jetë 1000 euro”, tha Haradinaj.

Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se “mafia energjetike” do të rrëzohet më 9 shkurt 2025, teksa ka përmendur aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj ish-kryeshefit Korporatës Energjetike, Nagip Krasniqi, dhe hetimet ndaj ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për një skandal financiar në Slloveni.

“Pas 9 shkurtit, hetimet e pavarura të një sistemi juridik pa presion populist, do të japin dritë edhe mbi të gjithë tenderët sekret. Kemi ngritur mjaftueshëm fakte për 113 tenderët e tjerë sekret në KEK, dhe mbi 877 të tjerë në gjithë qeverinë për tre vite – pothuajse nga një në ditë”, ka shkruar kreu i LDK-së në rrjetin social “Facebook” një ditë më parë.

Ndryshe, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025. Duke qenë se Kosova do ta hapë sezonin zgjedhor së shpejti – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës përgatitore për betejën e radhës – pritet të vazhdojë edhe “ping-pongu” mes pushtetit e opozitës për situatën në vend.

Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021. Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.

Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.

Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore