Kosova

Zëdhënësja e Putinit: Negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës kanë dështuar


Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse, Maria Zakharova, ka deklaruar se negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë në takimin e 2 majit në Bruksel, “ishin në thelb të pasuksesshme”.

“Një takim tjetër në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së, ka përfunduar sërish pa marrëveshje për çështjen kyçe të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, pretendon Zakharova.

Ndërkaq, përkundër se në takimin e nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u miratua deklarata për të pagjeturit gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe u prezantuan për herë të parë nga palët draft-statutet për Asociacionin, zëdhënësja e MPJ-së ruse thotë se ky takim “në thelb, është një dështim”.

Ndërkaq, ajo, njëjtë siç thonë në Serbi, deklaron se Bashkimi Evropian “edhe një herë lejoi Prishtinën që të vazhdojë sabotimin e krijimit të një organi vetëqeverisës”, dhe po ashtu konteston zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 23 prill, në katër komunat në Veri të Kosovës.

“Veprimet e autoriteteve të Kosovës që synojnë përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës kanë mbetur pa reagimin e duhur nga Bashkimi Evropian. Ata vazhdojnë të frikësojnë, sulmojnë dhe arrestojnë serbët dhe të shtojnë praninë e forcave të tyre speciale. Ata gjithashtu synojnë të formojnë autoritetet lokale nga shqiptarët etnikë në bazë të rezultateve jolegjitime të të ashtuquajturave zgjedhje lokale të 23 prillit 2023”, thotë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore