Kosova

VV bojkotoi seancën për Policinë, Tahiri: Hera parë në histori që iu ndalet rrezikshmëria policëve – të vetmit që po rrezikojnë jetën


Bensik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se s’ka ndodhur “në historinë e këtij shteti që qeveria t’ia ndalë rrezikshmërinë policëve të Kosovës”.

Dhe kjo po ndodhë, theksoi Tahiri, “duke e ditur se është i vetmi korpus i zyrtarëve publik të cilët janë duke rrezikuar jetën sot”.

“Pra, s’jemi as deputetët, as ministrat, as kryeministri… që po rrezikojmë jetën, janë vetëm policët e Kosovës”, theksoi Tahiri.

Tutje, deputeti i AAK-së pohoi se policëve “ju takon me ligj rrezikshmëria, ka kaluar ligji”. “Nuk do të duhej që ne të diskutonim, sepse kjo është diçka që u takon”.

“Do të duhej që të diskutonim për sigurimin shëndetësor të policëve, pra për një të drejtë që u takon 9800 policëve…”, shtoi.

Tahiri pohoi se AAK-ja si grup parlamentar, por edhe opozita në përgjithësi, “nuk do të ndalemi dhe nuk do të zmbrapsemi prej kryeministrit [Albin] Kurti”, i cili, sipas tij, “mendon se duke mos u përgjigjur në pyetje parlamentare, mundohet të mashtrojë një popull, mundet t’i mashtrojë votuesit e vetë, por jo popullin”.

“Është ky kryeministër, që me urdhër të tij, nuk e lejon krijimin e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, ku është vjedhur në miell, në sheqer”, potencoi.

Ndryshe, pak para fillimit Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancë e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovë në të cilën do të shqyrtohej propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Këtë e bëri të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë të jashtëzakonshme për media, pak para fillimit të seancës së jashtëzakonshme e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të enjten.

“Që nga java e kaluar PDK ka tentuar që të ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë të cilën ata nuk e kanë pasur të dorëzuar ende me shkrim që ka të bëjë me një rezolutë për kushtet dhe legjislacionit të cilët ata i konsiderojnë tash të nevojshme për t’u kaluar për Policinë e Kosovës”, tha fillimisht ajo.

Tendenca dhe qëllimi i PDK-së dhe e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sipas Kusari – Lila, nuk ka të bëjë me gjendjen apo statusin e Policisë së Kosovës, por ka të bëjë vetëm me arsyetimin dhe argumentimin e tyre se “kinse Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet”.

“Synimi i tyre i vetëm është pushteti dhe jo interesi i shtetit”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore