Kosova

Vukoviç: Presioni ndaj Kosovës e lëshimet ndaj Serbisë s’po japin rezultate


Sinisha Vukoviç

Sinisha Vukoviç, ligjërues në “John Hopkins University” dhe njohës i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka konsideruar se në Shtetet e Bashkura të Amerikës (SHBA) dhe në Bashkimin Evropian (BE), shumë diplomatë e politikanë e kanë kuptuar tashmë se strategjia e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja nuk po jep rezultate.

Vukoviç, në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, derisa ka komentuar tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, çështjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka vlerësuar se bashkësia e organizuar ndërkombëtare, posaçërisht SHBA-të, aktualisht janë duke e favorizuar në mënyrë disproporcionale Serbinë.

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare në Uashington ndër të tjera ka thënë se me qasjen e tij refuzuese, kryeministri i Kosovës Albin Kurti po dërgon një sinjal se dëshiron t’i jap fund, siç ka thënë, praktikës dhjetëvjeçare që e ka mbajtur Kosovën në pozitë më të dobët në dialog, ndërsa ka shtuar se presionit ndaj tij dhe Kosovës për të pranuar një “marrëveshje të keqe” siç është ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet t’i jepet fund.

“Deri në ardhjen e Kurtit, autoritetet në Kosovë e kanë perceptuar një lloj urgjence për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë me Serbinë, e cila ka rezultuar me formulime të ngathëta dhe të paqëndrueshme siç është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Improvizime të tilla krijuan një valë pakënaqësie me të cilën Kurti erdhi në pushtet dhe ai tani e kupton se është pothuajse kundërproduktive për Kosovën të mbajë atë qasje se çdo marrëveshje është e mirë”.

“Me qëndrimin e tij se mungesa e marrëveshjes është më mirë se një marrëveshje e keqe, ai në fakt po dërgon një sinjal se dëshiron t’i japë fund praktikës dhjetëvjeçare që e ka mbajtur Kosovën në një pozitë më të dobët në negociata. Në situata të tilla asimetrike, ku Kosova është ende në një pozitë të varur në krahasim me Serbinë, gjëja e fundit që duhet të bëjë një ndërmjetës është të shtojë presionin ndaj palës më të dobët”, ka thënë Vukoviç.

Ai ka shprehur optimizmin se letra e dhjëtëra ligjvënësve të lartë evropiano-amerikanë për marrëdhënie me jashtë drejtuar bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, t’i shtyjnë vendimmarrësit të rishqyrtojnë strategjinë, pra që sekuencimi i lëvizjeve të rishikohet dhe të krijohet një strategji më e qartë me të cilën, sipas tij, mund të përdoret për të arritur qëllimin e synuar sa i përket rrjedhës së marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore