Lajme

Vuçiç nis të hënën konsultimet për formimin e qeverisë së re – fillimisht takon Kamberin, pastaj përfaqësuesin rus


Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të fillojë të hënën konsultimet për formimin e ekzekutivit të ri nën drejtimin e Partisë Progresive Serbe (SNS), ndërsa të parët që do të takojnë presidentin serb pritet të jenë përfaqësuesit politikë të minoriteteve – kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, dhe kryetari i Partisë Ruse (RS), Sllobodan Nikoliç.

Takimi midis Vuçiçit dhe Kamberit pritet të nisë të hënën në orën 08:30 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Serbisë në Beograd, njoftuan të dielën mediat serbe. Kamberi, në zgjedhjet e fundit parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë që u mbajtën më 17 dhjetor 2023, fitoi një ulëse në legjislativin serb nën slloganin “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”.

Shaip Kamberi

Ndërkaq, takimi midis presidentit serb dhe përfaqësuesit rus, i cili gjithashtu fitoi një ulëse në Parlamentin e Serbisë pas koalicionit parazgjedhor me Partinë e Re Komuniste të Jugosllavisë (NKPJ), do të fillojë në orën 9:45. Nuk është bërë e ditur nëse Vuçiçi do të ketë ndonjë takim tjetër gjatë ditës.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar bënë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara, veçanërisht mbi votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të rajonit.

Lista e SNS-së “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet” fitoi 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, kurse lista e opozitës së bashkuar pro-evropiane rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” fitoi 65 mandate. Parlamenti i Serbisë përbëhet nga 250 deputetë dhe prej tyre nevojiten 126 për ta formuar qeverinë e re nën një mandat katër vjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore