Kosova

Vuçiç kërkon “angazhim më aktiv” nga BE-ja për “mbrojtjen” e serbëve në Kosovë


Aleksandar Vuçiç dhe Oliver Varhelyi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se gjatë një takimi që ka zhvilluar me komisionerin hungarez, Oliver Varhelyi, i cili ka qenë përgjegjës për zgjerimin, por tani do të merret me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, ka kërkuar “angazhim më aktiv” nga institucionet e Bashkimit Evropian (BE) për “mbrojtjen e të drejtave të popullit serb” në Kosovë.

“Një bisedë e hapur me një mik të sinqertë të Serbisë… Shfrytëzova rastin ta informoj komisionerin për situatën shqetësuese në Kosovë dhe kërkova angazhim më aktiv të institucioneve evropiane në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb”, ka shkruar presidenti i Serbisë në “Facebook” të enjten.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Bruksel për një drekë pune të thirrur nga presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, për të diskutuar rreth planit të rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027.

“Unë ritheksova se Serbia në thelb dhe teknikisht është e gatshme për hapa të rinj në drejtim të afërsisë dhe anëtarësimit në BE, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, integrimin ekonomik dhe social dhe falënderova KE-në për mbështetjen gjatë rrugës”, ka shkruar mes tjerash presidenti serb.

Ndryshe, gjatë takimeve në kryeqendren evropiane, Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sepse as Prishtina e as Beogradi nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor pa arritur progres në negociata.

Kurti e Vuçiç në Bruksel – jo për dialog, por për milionat e BE-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore