Kosova

Vuçiç flet në telefon me Macron-in, kërkon themelimin e Asociacionit


Aleksander Vucic dhe Emmanuel Macron

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të premten ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lajmi u bë i ditur nga Vuçiç, përmes një postimin në Facebook, i cili ka kërkuar nga Macron që Bashkimi Evropian ta ketë prioritet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Derisa Evropa po kalon një periudhë tranzicioni dhe pasigurie, unë theksova rëndësinë e vazhdimësisë në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për Serbinë, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe kushtet në të cilat jeton komuniteti serb i privuar nga e drejta”, pretendoi Vuçiç.

“E ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë një vend të lartë në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb”, shtoi.

Kreu serb potencoi se avokimi për dialog “mbetet themeli i politikës së Serbisë në marrëdhëniet rajonale dhe faktori më i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve të vështira që janë para të gjithëve ne”.

“Kjo është arsyeja pse i kërkova Presidentit Macron që të qëndrojë pranë Serbisë në rrugën e saj të vështirë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë me të cilat përballet gjatë rrugës”, pohoi ai.

Pos kësaj, Vuçiç me presidentin francez ka biseduar edhe për çështjet urgjente në rajon, ndryshimet aktuale politike në kornizat evropiane dhe globale dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Serbi dhe vendin e saj në kontekstin e dhënë.

“Ne diskutuam gjithashtu nevojën e bashkëpunimit strategjik në formësimin e rrugës së ardhshme të kontinentit tonë dhe të botës në tërësi, si dhe në zgjidhjen e çështjeve urgjente në lidhje me sigurinë rajonale dhe stabilitetin ekonomik”, theksoi ai ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore