Kosova

Vuçeviç: Mbijetesa e Serbisë në Kosovë është e lidhur drejtpërdrejtë me mbijetesën e serbëve atje


Millosh Vuçeviç

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se mbijetesa e Serbisë në Kosovë është e lidhur drejtpërdrejtë me mbijetesën e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Këto komente, Vuçeviç i ka bërë në një prononcim para gazetarëve nga Novi Pazari, duke komentuar lajmin që doli pas takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, politikanin serb, Nenad Çanak dhe drejtorin e Qendrës për Dialog Humanitar, Mark Baskin.

Këta të tre i thanë Kurtit se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës, posaçërisht atyre në pjesën Veriore, në Sanxhak, dhe se shteti serb veçse është duke nderuar shtëpi dhe banesa.

Por, Vuçeviç e mohon kategorikisht një gjë të tillë, madje konsideron se kjo “është e pakuptimtë”.

“Ne po luftojmë për çdo serb nga Kosova dhe pastaj dy-tre ekspertë shkojnë te Kurti dhe thonë se ne si Serbi do t’i shpërngulim serbët nga Veriu dhe do t’i vendosim në këtë rajon”, thotë ai, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Kjo, pretendon kryeministri i Serbisë, “është bërë me qëllim për të krijuar tension mes serbëve dhe boshnjakëve këtu”.

“Por është shumë më e rrezikshme që Kurtit t’i jepnin alibi për të vazhduar terrorin dhe dhunën ndaj serbëve, që serbët të largoheshin masivisht nga Kosova, dhe të thonë se ky është një veprim i planifikuar prej kohësh i Beogradit”, propagandon ai.

Pastaj, sipas Vuçeviç-it, “ata kanë këtë pjesë veçanërisht të neveritshme që dikush do të ndryshonte qëllimisht strukturën ndëretnike këtu”.

“Për ne, mbijetesa e Serbisë në Kosovë është e lidhur drejtpërdrejt me mbijetesën e serbëve. Natyrisht, po i krijojnë hapësirë ​​Kurtit që të bëjë atë që e ëndërron, që është spastrimi etnik”, propagandoi Kryeministri i Serbisë.

Në lidhje me këtë çështje është deklaruar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai ka thënë se serbët e Kosovës do të qëndrojnë në Kosovë, duke mohuar se do të ndodhë një gjë e tillë.

Madje, Vuçiç u tall me këto deklarata, duke pyetur se nëse Serbia paska atë plan, “atëherë kush do u vihet atyre serbëve në mbrojtje, Kurti a?”.

“Si i vogël kam shikuar Cirkun e Moskës si më të mirin në botë. Por nuk kam parë kurrë një cirk të tillë si Albin Kurti dhe mizat e shpinës nga Serbia qendrore si Çanak dhe Biserko”, deklaroi Vuçiç nga Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Kurti pret në takim Biserkon e Çanakun: Serbia planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës në Sanxhak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore