Kosova

Votuesit në sallën “1 tetori”, me vendim të KQZ-së zhvendosen në Fakultetin e Edukimit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë vendim që qendra më e madhe e vendvotimit në Prishtinë, salla “1 tetori”, të zhvendoset në objektin e Fakultetit të Edukimit.

Arsye që zhvendoset vendvotimi është për shkak që në sallën “1 tetori”, në Prishtinë është duke u zhvilluar procesi i vaksinimi kundër COVID-19.

Anëtari i KQZ-së, Alim Ramaj, ka treguar se do të njoftohen të gjithë votuesit për këtë ndryshim.

“Duke marrë parasysh se Qendra 1912e në Komunën e Prishtinës ndodhet në sallën “1 tetori”, e cila përdoret për vaksinimin dhe imunizimin e qytetarëve, qendra e vendvotimit e ndërron lokacionin nga salla “1 tetori”, në objektin e Fakultetit të Edukimit”.

“Sekretariati ka marrë udhëzim që të bëjë njoftimin e votuesve, po ashtu sikurse e kërkon ligji të vendoset një shenjë që salla “1 tetori” me të gjithë votuesit që shkojnë në ditën e zgjedhjeve në sallën “1 tetori”, të udhëzohen të shkojnë në objektin e Fakultetit Edukimit”, ka thënë Ramaj.

Këtë mbledhje e ka udhëhequr Cemajli Kurtis, në mungesë të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.

Kurtis ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i ndërmarrë të gjitha masat që të shkojë gjithçka në rregull.

Ndërkaq, Besnik Buzhala, zëvendëskryshefi i Sekretariatit të KQZ, ka bërë të ditur se sa i përketë gjendjes në Komunat e Kosovës, përgatitjet janë duke shkuar sipas planit operacional.

“Prej raportimit të fundit sidomos të Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Zveçanit, nuk ka ndonjë ndryshim, gjendja është e njëjtë. Procesi është duke u zhvilluar normal në të gjitha Komunat e Kosovës, përveç ajo që është raportuar në mbledhjen e fundit të KQZ-së se në komunën e Zubin Potokut gjendja është e njëjtë”, ka thënë Buzhala.

Salla “1 tetori”, në Prishtinë

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Ndërsa gjatë ditës së shtunë, kishin ndodhur dy sulme në komunat verior në Zveçan dhe Zubin Potok.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Djegëja në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore