Lajme

Votimi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare në KiE, Kurti: Fiton demokracia dhe të drejtat e njeriut


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke thënë se jemi edhe një hap larg anëtarësimit.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, potencoi ai.

“Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, tha Kurti.

Ndryshe, para pak çastesh, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Ndërsa, më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rrëzuar amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, është rrëzuar edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë të cilët kanë propozuar që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Ndryshe, Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore