Lajme

Von Cramon pjesë e delegacionit të PE-së për monitorimin e zgjedhjeve në Serbi


Viola von Cramon

Parlamenti Evropian (PE) do të dërgojë një delegacion për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Serbi në muajin dhjetor, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1” në Beograd, ndërsa është bërë e ditur se në mesin e vëzhguesve do të jetë edhe eurodeputetetja gjermane, Viola von Cramon, së bashku me pesë ligjvënës të tjerë.

Ky delegacion, përveç eurodeputetes gjermane dhe Raportueses së PE-së për Kosovën, do të përbëhet edhe nga eurodeputeti sllovak dhe Raportuesi i PE-së për Serbinë, Vladimir Bilçik, eurodeputeti slloven, Klemen Groshelj, eurodeputeti spanjoll, Javier Nart, eurodeputeti austriak Andreas Schider dhe eurodeputetja suedeze, Malin Bjork.

Ata do të qëndrojnë në Serbi nga data 14 deri 19 dhjetor. Delegacioni i PE-së pritet të takohet me aktorët kryesorë të skenës politike serbe. Janë planifikuar takime me ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, përfaqësues të misioneve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Këshillit të Evropës (KiE), por edhe me organizata të shoqërisë civile.

Vendimi për vëzhgimin e procesit të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit është marrë pas një letre të kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, i cili ka kërkuar nga PE-ja emërimin e një misioni vëzhgues ditën e zgjedhjeve. Pra, përveç OSBE-së dhe KiE-së, zgjedhjet serbe do të monitorohen edhe gjashtë ligjvënës evropianë.

Zgjedhjet në Serbi do të monitorohen nga 30 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurër, ka njoftuar javën e kaluar kreu i Zyrës së OSBE-së për të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Albert Johnson, përfshirë procesin e votimit, qendrat e votimit dhe numërimin e votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e tensioneve pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore