Kosova

Vizita e Macron në Serbi – “një nga temat kryesore do të jetë çështja e Kosovës”


Emmanuel Macron

Ish-diplomati serb, Zoran Milivojeviç, ka thënë se Kosova do të jetë tema kryesore gjatë vizitës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që ky i fundit do ta zhvillojë më 29 dhe 30 gusht në Serbi.

“Mendoj se një nga temat kryesore do të jetë çështja e Kosovës, pozita e popullit serb, roli i KFOR-it në të cilin merr pjesë Franca dhe detyrimi i bashkësisë ndërkombëtare për të mbrojtur pozitën dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë”, tha Milivojeviç për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online”.

Ai shtoi se po hyjmë në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se është e rëndësishme që Beogradi të kuptojë qëndrimin e popullit serb, sjelljen e palës prishtinase dhe nevojën për respektimin e obligimeve ndërkombëtare.

“Për ne është shumë e rëndësishme që Franca të marrë parasysh se cili është mandati i KFOR-it që është të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe se është e nevojshme të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i masave të marra nga Prishtina dhe të mundësohet një jetë normale e popullit serb”, shtoi.

Ndryshe, kreu i shtetit francez më 29 gusht do të pritet nga homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç rreth orës 18:00 në aeroportin “Nikola Tesla”.

Sipas agjendës që është publikuar nga mediat serbe, pas takimit Macron dhe Vuçiç do të mbajnë një konferencë për media në Beograd.

Po ashtu, ata marrin pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës që shënon përfundimin e modernizimit të aeroportit në Beograd si dhe përfundimin e vizitës së Macronit në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore