Film

“Vera Andrron Detin” fiton çmimin kryesor në Tokio


Sekuencë nga filmi "Vera Andrron Detin"

Filmi kosovar “Vera Andrron Detin”, i regjisores, Kaltrina Krasniqi ka shënuar suksesin e radhës, ndërsa ka fituar çmimin kryesor “Grand Prix”, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio të Japonisë

Lajmin e ka bërë të ditur vetë faqja zyrtare e filmit në median sociale të Facebook, teksa janë shprehur të emocionuar dhe falënderues ndaj shtetit japonez për çmimin e dhënë.

Sekuencë nga filmi “Vera Andrron Detin”

“Jemi të emocionuar të ju njoftojmë se ‘Vera Andrron detin’ është shpërblyer me çmimin ‘GrandPrix’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio 2021”.

“Falënderojmë jurinë për këtë mirënjohje! Faleminderit Tokio, faleminderit Japoni”, u tha në njoftimin e publikuar në Facebook.

“Vera Andrron Detin”, ka fituar gjithashtu dy çmime në Bienalen e Venedikut me vlerësimin e asociacionit të regjisorëve dhe profesionistëve në këtë eveniment dhe ka qenë i pari nga Kosova që shfaqi premierë në Festivalin e Venedikut me çmimet: “Inclusion Edipo Re” dhe “Autoret gra nën 40 (vjet)”.

Ky prodhim kinematografik është një film i metrazhit të gjatë me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit.

Historia e filmit paraqet përditshmërinë e qetë të personazhit kryesor – Verës, e cila çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.

Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, e shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

Realizimi i këtij filimi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore