Kosova

Vendos Supremja në RMV për ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin: S’janë përmbushur kushtet për ekstradim


Gjykata Supreme në Maqedoni të Veriut e ka rikthyer rikthen në Gjykatën Penale vendimin për mos-ekstradimin në Serbi të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadanit, i cili u arratis nga RMV-ja më 15 gusht.

“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për ekstradimin e personit të përmendur. Veprimi dhe vendimmarrja e tillë nga gjykata e shkallës së parë sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut është e paqartë dhe e pakuptueshme”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Ndërsa pas arratisjes së Ramadanit, ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, theksoi se kërkojnë shpjegim nga autoritetet maqedonase për këtë rast. Ai e cilësoi si “skandaloz” arratisjen nga arresti shtëpiak të Ramadanit.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Ai ishte anëtar i Zonës Operative të Nerodimes dhe fletarresti serb ndaj tij u lëshua me pretendimin se kreu krime lufte ndaj serbëve në verën e vitit 1999 në rajonin e Ferizajt.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore