Kosova

Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut në kundërshtim me kërkesat e SHBA-ve


Ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, të mërkurën ka bërë me dije se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, nga ambasada amerikane kanë thënë se një vendim i tillë – sërish – nuk është marrë as në përputhje me kërkesat e përbashkëta të kominitetit ndërkombëtar për mosndërmarrjen e veprimeve që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në pjesën veriore të banuar me serbë etnikë.

Ambasada e SHBA-ve ka thënë për “Radio Evropa e Lirë” se e ka këshilluar paraprakisht Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri të vendit, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i shtojë shtresa të reja tensioni një atmosfere tashmë të njohur.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Në ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut janë të vendosura katër institucione paralele që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra e ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra e ashtuquajtur për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku i ashtuquajtur Administrativ i “Mitrovicës së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore