Gjykata Speciale

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të dëgjohen dëshmitarë


Katër ish-krerët e UÇK-së të akuzuar në Hagë

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit do të vazhdoj edhe këtë të martë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se edhe sot do të vazhdoj me paraqitjen e provave, përkatësisht me dëgjimin e dëshmitarëve në rastin e katër të akuzuarve në këtë rast.

Në këtë është paralajmëruar se do të mbahen katër seanca.

Një ditë më parë, të hënën, ka përfunduar dëshminë e saj dëshmitarja e parë e këtij rasti, deklarata e së cilës 90% e kohës ishte e mbyllur për publikun. Dhe po të njëjtën ditë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë.

Në deklaratën e tij dëshmitari 2 ka deklaruar se është anëtarë i LDK-së dhe se ka qenë prezent në daljen e parë publike të UÇK-së.

Gjatë dhënies së dëshmisë, dëshmitari tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksa ka folur për organizimin dhe strukturën e kësaj partie në vitet 1990, specifikisht në komunën e Malishevës.

“Synimi i LDK-së ka qenë kundërshtimi i sistemit e ish-Jugosllavisë. Ka fillu jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj të udhëhequr nga presidenti Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”.

“Nënkryetarë e LDK-së, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, tha dëshmitari duke folur për strukturën e organizimit të kësaj partie.

Për më tepër ai tha të ketë qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë kohë. “Në Kosovë ka ekzistuar edhe më herët Ministria e Mbrojtjes. UÇK-ja si formacion ka dalë pak më vonë, në vitin 1998. Prej fillimit kam qenë pjesëtar i saj”.

Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë. Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në javën e kaluar filloi procesi i paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.

Ndërsa trupi gjykues i Dhomave të Specializuara ka pranuar mocionin e mbrojtjes së Rexhep Selimit, për mospranim si prova, disa pjesë të dëshmisë së saj.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

“Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore