Kosova

Varga: Perëndimi të ofrojë garanci më bindëse se s’do të ketë një Republikë Srpska në Kosovë


Boris Varga

Politologu dhe gazetari nga Novi Sadi i Serbisë, Boris Varga, ka thënë se është e kuptueshme që Kosova është e vetëdijshme për hapat secesionistë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe nuk e dëshiron Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Perëndimi, sipas tij, duhet të ofrojë patjetër garanci më bindëse se nuk do të ketë një Republikë Srpska të re – entiteti serb në BeH – dhe se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do ta ndajë Kosovën në vija etnike e territoriale.

“Nacionalistët serbë po festojnë për të dytën herë fitoren e tyre në BeH, duke ia dalë mbanë të vendosin diskursin dominues për domosdoshmërinë e shpërbërjes së këtij shteti, ekzistenca e të cilit dhe Paqja e Dejtonit janë ekskluzivisht sukses politik i Perëndimit dhe i SHBA-së”.

“Është e kuptueshme që Kosova po ndjek hapat secesionistë në BeH dhe nuk e dëshiron Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Perëndimi duhet të ofrojë patjetër garanci më bindëse se nuk do të ketë një Republikë Srpska të re dhe nuk do ta ndajë Kosovën”, shtoi Varga.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në më pak se një javë Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Derisa në Evropën e rajoneve, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë nuk paraqesin kurrfarë problemi për funksionimin e shteteve përkatëse, në Ballkanin Perëndimor autonomitë zakonisht kuptohen si para-shtete që presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore